Me Enverin, Kolekën e Kim Jongun në video, Meta ironizon numëruesit e Ramës: Forca, nga fitorja në fitore!

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën me një përshëndetje për miqtë e tij dhe një mesazh plot ironi ndaj kundërshtarit të tij politik, kreut të qeverisë, Edi Ramës, që realizoi me këmbëngulje, votimin monopartiak të 30 qershorit. Me videon e mëposhtme, ku shfaqen njeri pas tjetrit, Enver Hoxha, Spiro Koleka e deri  Kim Jong Un tek i gëzoheshin fitoreve në zgjedhje,  Presidenti ka përcjellë këtë mesazh:

"Mirëmëngjes të dashur miq!

Forca numëruesve, si një trup i bashkuar drejt tejkalimeve të reja! Nga fitorja në fitorje! Destinacioni dihet.

Kalofshi të gjithë një ditë të bukur sot!"

Mesazhi i Presidentit ka ardhur në një kohë kur votimi i 30 qershorit për kryetarët e bashkive dhe këshillave bashkiakë i ka kaluar përmasat e qesharakes, pasi, përveç kandidimit pa rivalë të të zgjedhurve të PS,  mospërputhja e numrit të votuesve me të fletëve të votimit në kuti - si dukuria më e spikatur - ka arritur të pasqyrohet deri edhe nga KQZ-ja, institucioni që pritet ta çertifikojë këtë votim.