Borussia Dortmund merr me kosto zero një nga talentet e Barcelonës

Borussia e Dortmundit ka nënshkruar me adoleshentin e Barcelonës, Mateu Morey.

Mbrojtësi i djathtë, 19 vjeç, ka rënë dakord për një kontratë pesëvjeçare me klubin e Bundesligës dhe arrin si transferim i lirë pas skadimit të kontratës me Barçën.

Morey, i cili gjithashtu thuhet se ishte një objektiv për Juventusin dhe Manchester Cityn, humbi të gjithë sezonin 2018-2019 pas një dëmtimi të rëndë në gju, por tani është plotësisht i aftë dhe do të përfshihet në ekipin e parë të Dortmundit.

“Borussia Dortmund është një klub fantastik që i kushton shumë rëndësi të rinjve. Jam i bindur se me cilësitë e mia individuale do të kem shumë për t’i ofruar klubit në vitet që vijnë”, tha Morey.

Ai ishte pjesë e Spanjës U17 që fitoi Kampionatin Europian dhe triumfoi në UEFA Youth League 2017-2018 me Barcelonën.