Keidi Bare befason spanjollët, stërvitet në kohë pushimesh

Keidi Bare nuk i lë asgjë rastësisë dhe dëshiron që në sezonin e tij të dytë te Malaga, të jetë në një formë më të mirë për të dhënë kontributin që në start te skuadra e cila ka synime të mëdha që të ngjitet në La Liga.

Bare shkëlqeu në pjesën e dytë të sezonit me Malaga, duke luajtur rregullisht e duke i shkuar shumë afër ngjitjes, për t’u ndalur vetëm gjatë gjysmëfinaleve të play-off.

Ndaj futbollisti kërkon që të kthehet përsëri në listën e futbollit spanjoll, atë që e ka shijuar dy vite më parë me fanellën e Atletico Madrid dhe ku synon që të jetë protagonist.

Kjo duket qartë edhe nga fakti se mesfushori ka nisur që tani përgatitjet për sezonin e ri me stërvitje individuale .

Ai ka postuar vazhdimisht në ditët e fundit në rrjetet sociale video të tij teksa stërvitet individualisht në bregdet, me top apo fizikisht, për të qenë në maksimum.

Stërvitje që kanë çuditur spanjollët, të cilët nuk e mendonin këtë “zell” të lojtarit duke llogaritur se pushimet filluan me 16 qershor e do të përfundojnë më 11 korrik.

Portalet spanjolle kanë publikuar videot e Bares duke u stërvitur, për të treguar se sa seriozisht e ka marrë mesfushori përgatitjen për vitin e ardhshëm.