VIDEO/ Basha: Nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë! Fundi i Edi Ramës është pranë!

"Në Shqipëri nuk ka dhe nuk ka për të pasur zgjedhje të lira për aq sa kohë sa Rama është kryeministër dhe sa kohë që ata që vodhën të dalin para drejtësisë.' kështu deklaroi sot në një komunikim të posaçëm para mediave, Kryetari i opozitës Lulzim Basha, nga selia e Partisë Demokratike.

Nisur nga tërheqja e Këshillit të Evropës, për të mos vëzhguar zgjedhjet e organizuara nga qeveria shqiptare më 30 qershor, Basha argumentoi: "Për herë të parë që nga rënia e komunizmit, Këshilli i Evropës ka vendosur të mos dërgojë mision vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë qeveria shqiptare. Këtë vendim KiE e ka marrë jo se e ka kërkuar opozita, por sepse 30 qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Ky është vendim tërësisht politik, se tërheqje nga KiE nuk ka pasur as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konfliktesh civile, nga Ukraina në Gjeorgji, nga Armenia në Azerbajxhan apo konfliktit të armatosur në Maqedoni.

Duhet mbajtur parasysh se KiE është institucioni kryesor i monitorimit të zgjedhjeve vendore në Europë. Duhet të dihet se ky është distancim i qartë nga votimet farsë që kërkon të bëjë Edi Rama.

Në Shqipëri nuk ka dhe nuk ka për të pasur zgjedhje të lira për aq sa kohë sa Rama është kryeministër dhe sa kohë që ata që vodhën të dalin para drejtësisë. Votimet janë tentativë për grusht shteti të Edi Ramës," theksoi Basha.