James Rodriguez: Nuk kam folur me Zidane

E ardhmja e James Rodriguez duket e qartë. Kolumbiani, pasi mbylli huazimin 2-vjeçar te Bayern Munchen, tashmë po kërkon një tjetër aventurë, pasi Reali i Madridit ia ka bërë të qartë se nuk mbështetet te cilësitë e mesfushorit.

Nga Kupa e Amerikës, ku po merr pjesë me Kolumbinë, James është rikthyer të flasë për madrilenët, teksa nga fjalët e tij duket sikur lojtari kërkonte një mundësi për të bindur Zidane.

“Ende nuk e di ku do të transferohem, dua të jem i qetë dhe po mendoj për Kupën. Mendoj se brenda klubit ka njerëz që komandojnë dhe nuk mund të bëj asgjë. Nuk kam folur kurrë me Zidane”, u shpreh James.

Mesfushori edhe pse ka akoma një kontratë me Los Blancos, nuk do të kthehet në Madrid, teksa do të niset menjëherë për destinacionin e tij të radhës.

Napoli është shumë pranë kolumbianit, kjo edhe për shkak të marrëdhënies së James me trajnerin Ancelotti, me të cilin ka punuar te Reali dhe Bayerni.