Prapë në kurth?!

Nëse ministrat dhe deputetet e PS do të kishin përdorur poezinë lirike të Lasgush Poradecit, për të inkurajuar një shef policie ndërsa ai drejton një operacion për tjetërsimin e votës, a do ta kishte bërë kjo më të fisnike vjedhjen e votës?!

Sigurisht që jo. Atëherë pse po ndodh gjithë ky shpërqendrim i vëmendjes nga akti i manipulimit të zgjedhjeve dhe përqendrim tek pjesa vulgare e komunikimit, midis drejtuesve të shtetit tonë?!

Me siguri që Edi Rama e ka ndjerë veten me fat, kur ka parë dje dhe sot irritimin e publikut, medias dhe opozitës së Facebook-ut tek skandalizohet nga fjalori i përdorur në komunikimet private të kupolës së Rilindjes, ndërkohë që me shumë gjasa ishte edhe vetë në atë tavolinë euforike. Është ndier fatmadh në këtë situatë, sepse pikërisht kjo i duhet tani atij dhe qeverisë, në mënyrë që të sfumohet reagimi ndaj vetë aktit në flagrancë, të manipulimit të zgjedhjeve.

Që të jemi korrektë; fjalori i përdorur mes atyre që kanë rënë në rrjetën e përgjimeve është, një komunikim privat dhe jo publik. Edhe pse gjithçka nisi, për të hetuar trafikantë dhe kultivues droge. Sigurisht që këto përgjime na tregojnë fytyrën e vërtetë të atyre që drejtojnë Shqipërinë dhe menaxhojnë, parlamentin, policinë e miliarda lekë të buxhetit. Se sa të rëndomtë deri në vulgaritet janë pjesëtarët e ekipit, që ka përzgjedhur kryetari i PS. Por tashmë këtë të gjithë e dimë, sepse i kemi para syve përditë.

Sigurisht që është e rëndë tek dëgjon ministrin e Brendshëm, që pasi i tregon me zë të trashur vartësit të tij raportet institucionale, menjëherë kalon në një fjalor të cilin askush nuk mund ta përdorë me vartësit e tij, edhe sikur të jetë komunikim krejt privat.

Por kjo nuk është çështja, mbi të cilën ne do duhet të përqendrohemi sot. Fjalorin banal e kanë për vete; manipulimin e zgjedhjeve e kanë për ne.  Ata mund të flasin e të bëjnë çfarë të duan me njëri tjetrin, madje edhe ‘hold each others’ pricks into their mouths’. Por ky nuk është as thelbi, as problemi që ne kemi me ata.

Dora që i ka përzgjedhur këta që dalin në përgjime ka pasur si synim që partinë dhe qeverinë që na udhëheq, ta shndërrojë e trajtojë si një strukturë të organizuar kriminale. Këto përgjime mjaftuan që të gjithë shqiptarët, edhe ata që deri dje ishin skeptikë e dyshues, ta zbulojnë këtë. Ndaj ne nuk mund të biem në kurthin e radhës; të lejomë ‘sedrën tonë të prekur’ në parimet morale dhe estetike, që të na shpërqendrojë nga ky fakt.

Shihni çfarë ka ndodhur.

Në një palë zgjedhje krejt periferike dhe pa rëndësi politike, e gjithë hierarkia shtetërore është vënë në funksion të manipulimit të zgjedhjeve nëpërmjet blerjes, presionit, shantazhit, parave, kultivimit të drogës, administratës publike dhe Policisë së Shtetit.

Është evidente se e gjithë qeveria dhe strukturat e saj kanë zbritur në Dibër, për të fituar zgjedhjet e parakohshme lokale.

Është për të qeshur por edhe për të vënë duart në kokë, kur shikon se në përgjime del kryeministri së bashku me ministra, deputetë, drejtorë policie, drejtorë arsimi, e kushedi se kush tjetër; kurse vetëm ai ‘i zoti i punës’, kandidati për kryetar bashkie, nuk shfaqet gjëkundi. Në asnjë komunikim, në asnjë përgjim.

Dhe kjo ka vetëm një shpjegim; këto zgjedhje nuk ishin për qytetarët e Dibrës; kandidati qeveritar ishte thjeshtë një manekin. Zgjedhjet vendore në atë cep të vendit ishin një eksperiment, e demonstrim force. Ai nuk i hynte në punë askujt, për sa kohë fushatën po ja bënte Kryeministri dhe qeveria e tij.

Shefi i vërtetë i ‘fushatës elektorale’, është drejtori i policisë. Policia e qarkut të Dibrës funksionon, si shtab elektoral. Të gjitha strukturat e tjera shtetërore dhe partiake rajonale, janë në varësi të shefit të policisë. Si shefi i tij më i madh është caktuar ministri i Transporteve, i cili ka në menaxhim për këtë rast, arkën e parave.

Edhe ky ka shefin e tij, ‘të madhin fare’, i cili rri në një ‘zyrë të madhe fare’ dhe në fund të operacionit kërkon llogari, për arritjen e objektivit. Pra shefi i policisë që në fakt është shefi i shtabit elektoral, lë çdo punë dhe merr një detyrë të qartë nga qeveria, të cilën e planifikon dhe zbaton me përpikmërinë më të madhe. Në fund të arritjes, e madje tejkalimit të objektivit, ai merr përgëzimet; diskuton për shpërblimin dhe garancinë që të ‘mos e rruaj tr...n’ për opozitën dhe çështjen hetimore, e cila sapo i ishte hapur në prokurori.

Pra e gjithë hierarkia e partisë, qeverisë dhe e legjislativit e falenderon dhe i premtojnë shpërblim me një detyrë më të lartë, apo ku të dojë ai. Por ai nuk do shumë; thjeshtë një ‘copë shef’ Komisariati në Bulqizë, te ‘floriri’ me ngjyrë kromi.

Sepse në Bulqizë kromi transportohet me kamionë, e interesi i kompanive privatë është që të ngarkojnë mineral më shumë se sa pesha e lejuar, duke shkatërruar edhe infrastrukturën dhe arkën e buxhetit. E shefi i Komisariatit kështu, mund të vërë dhe të mbledh gjobat. Nuk është më sekret, se të ardhurat mujore për `kaq pak gjë` shkojnë diku midis 30 dhe 50 mijë Euro në muaj.

Kaq ‘pak’ do shefi i policisë si shpërblim për zbatimin e urdhrit, detyrave dhe të kapjes së objektivit për zgjedhjet! E gjithë hierarkia drejtuese e shtetit, e merr në telefon dhe e falenderon. Por ky me modestinë e tij thotë, se thjeshtë ka kryer vetëm detyrën dhe është ‘ushtar i bindur’. Duan t’ia nxjerrin edhe kryeministrin në telefon, por ky nuk pranon. Fundja pse i duhet kryeministri?! Ky do vetëm transferimin në Bulqizë, tek varganët e kamionëve të kromit.

Bashkë me shefin e policisë, shtabin elektoral lokal e drejton edhe një kokë lokale e krimit, por që namin e ka në çdo cep të vendit. Edhe ky përdor të gjitha mjetet e mekanizmat, njësoj si shefi i policisë. Edhe ky falenderohet njësoj si shefi i policisë; nga ministra, deputetë, kryeministri. Në fund, pasi ka mbaruar detyrën pyet gruan nëse është veshur bukur, sepse do të shkojë te ‘zyra e madhe, që të takojë bablokun e madh’.

Fiks e njëjta skemë e zbardhur edhe në përgjimet e Durrësit një vit më vonë, në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.  Një skemë mafioze e përdorur fillimisht në Dibër si test, dhe e implementuar në të gjithë Shqipërinë një vit më vonë. Në çdo qark, i njëjti mekanizëm dhe e njëjta skemë. Një qeveri që operon si një organizatë e strukturuar kriminale, e strukturuar në bazë qarku për të blerë votat, shpërndarë para, për të shantazhuar dhe larguar nga puna ata që rezistojnë dhe pastaj në finale; për të shpërblyer blerësit e votës.

Dikë duke e çuar ‘në vend me lekë’, dikujt tjetër duke i dhënë tendera e favore të tjera shtetërore e kriminale. Është pikërisht ky mekanizëm që duhet të ndalohet me patjetër, pa ata le të argëtohen në eufori me veglat e njëri-tjetrit.

Pra, ‘Magjitë e fitoreve’ elektorale në Dibër e në gjithë Shqipërinë në vitin 2017, nuk i bënë hallatet e Ramës, Gjiknurit, Tahirit, Ulsiut, Qefalisë...por pikërisht kjo skemë; ky organizëm ku nuk dallohet më kufiri se ku fillon shteti e partia, e ku mbaron krimi e mafia!