Haje pilafin, ndryshe nuk del jashtë shtetit!

M’u duk qesharak sot Edi Rama kur kërcënoi shqiptarët se kush djeg materialet zgjedhore, (ai e quan krim zgjedhor!!!) nuk do të lejohet të dalë jashtë shtetit nga 5-10 vjet.

Nuk iu dridh fare as zëri, as buza.

E kam gati projektligjin dhe nesër e miratoj. Ti me aq mandate të vjedhura mund të bësh një ligj të na sekuestrosh edhe fëmijët. Por hë për hë lëvizjes së lirë i rruan bishtin.

Se në kushtetutë shkruhet që askush nuk mund të ndalohet të lëvizë lirisht jashtë shtetit. Pra në kodin penal mund të vesh vite burgu për aksh e aksh vepër.

Ama sa e mbaron dënimin çdo njeri del e hyn në atdhe si ia do kokrra e qejfit. Shkurt ti mund të komandosh dënimin e njerëzve nëpër burgje, por jo t’i mbash mbyllur brenda atdheut.

Siç duket paniku e këshillon për ndërmarrjen e aventurave që ndezin inatin e njerëzve të thjeshtë. Edvin, deri sot njerëzit që përplasen me policinë janë në ligjshmëri.

Mbrojnë dekretin e presidentit në detyrë. Një dekret që ka vlerë ligjore se është botuar në ‘Fletoren Zyrtare’. Ti dhe Lleshi po bëni krim zgjedhor, doni votime pa datë e pa konkurrentë. Keni hedhur kundër ligjit krejt shtetin.

Pra po kryeni puç të pastër, klasik.

Marrëzia kur duartrokitet nga lakenjtë i rrit dozat.

Mos të çuditemi kur ndonjë nga këto ditë kryeministri ynë sharlatan, butaforik dhe nevrik të ndërmarrë nismën legjislative se ai qytetar/e që nuk e ha pilafin dënohet të dalë jashtë vendit për x vite.

Nuk është humor.

Me këtë qeveri që vjedh vota do shpiken plot krime. Veç pilafit do shtohet krimi i bamjeve, i fasuleve dhe mbase do ndalohemi të ashtusemi jo më shumë se një herë në javë.

Ose do ndalohemi të qeshim me zë. Qeveritë që s’i formon vota, do i formojë krimi...

Ja, shembulli ynë, qeveria e Ramë Mafiozit.