Burgosja e Suelës, siç talebanët burgosin gazetarët amerikanë

E dashur Suela Musta,

Sa gabim e kanë kolegët e dashamirët që emrin tënd e lidhin kaq fuqishëm me emrin e Agim Mustës, Madibes së burgjeve të kohës së regjimit të ish diktatorit.

Sepse Agim Musta e shkroi historinë dhe fatin e tij me vite të tëra burg.

Ti ke historinë tënde. Ke personalitetin dhe dinjitetin tënd. Sigurisht, kjo burgosje nuk do të mohohej një ditë, për të plotësuar 100% lidhjen me Agim Mustën. Nuk mund të rrëshqiste historia e familjes pa burgun tënd të çuditshëm. 

Ndonjëherë më ngjan me burgosjet e gazetarëve amerikane nga forcat terroriste në Kabul a gjetkë në vendet e luftës.

Paradoksi i vendit tënd është ky që të kujton edhe njëherë, e jo vetëm ty se diktaturat lulëzojnë pikërisht atëherë kur propagandohet kulmi i demokracisë. Ti je peng i dëshpërimit të të marrëve.

Sepse është më e vështirë të ruhet ekuilibri i lirisë, sesa të durohet pesha e diktaturës. Ti ke detyrën e parë, lirinë, ati yt pati të dytën- peshën e diktaturës.

Me një të përbashkët: prangat.

Suela e dashur, duhej të provoje edhe këtë burg për t’i kujtuar babait tënd dhe gjithë klasës së ish të përndjekurve se vuajtja e tyre nuk është vetëm rropatja për dëmshpërblimin e burgjeve, as shëmtia e sulmeve të kastës së vjetër ndaj ideve dhe të vërtetës së historisë që krijuan në kurriz të qindra e mijëra të burgosurish, të internuarish e të dëbuarish.

Tashmë plotësohet libri i plotë i jetës prej martiri të Agim Mustës. Pasi u rrite e sharë si bijë armiku, pasi u përndoqe e diskriminove si vajze reaksionari, tani, burgosesh... si... armike e pushtetit të bijve të Bllokut.

Rezisto... që të na mësosh edhe në të tjerëve si të kuptojmë më mirë diktaturën.