Trajneri Alban Bushi flet për formën e Shpresave: Po vazhdojmë të përmirësohemi

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, doli ditën e sotme në një konferencë për mediat, pas barazimit me Turqinë në transfertë, dhe dy fitoreve në sfidat miqësore me Uellsin.

Bushi foli për takimet e fundit dhe për grupin e lojtarëve që ka në dispozicion.

Tre ndeshjet e fundit – “Kishim lojtarë nga datëlindja 2001, patëm disa mungesa dhe e kishim të vështirë të zgjidhnim. Por, jam i kënaqur nga ata. Kur vijnë rezultatet, bëhet edhe puna më e bukur. Por, synimi ynë kryesor është të kemi sa më shumë lojtarë”.

Sulmi – “Po ta shohim ndeshjen në përgjithësi, nuk kemi luajtur shumë në sulm. Nuk ka ndryshuar strategji, ne sulmojmë në kundërsulm. Ne kemi luajtur në sulm, por kundërshtarët na kanë ndëshkuar gjithmonë. Jemi ekip modest, që jemi duke u rritur, dhe nuk është se janë lojtarë të nivelit të kundërshtarit. Duhet t’i mbajmë afër njëri-tjetrit”.

Golat – “Në 3 ndeshje, kemi shënuar 7 gola, nga këta 5 me Uellsin. Edhe kemi pësuar, duhet thënë, por për gabimet tona. Kundërshtari na ndëshkon edhe nga një karambol i joni, ndërsa ne i bëjmë me aksione, me shumë vështirësi. Duhet të gabojmë sa më pak tani, që të mos i dhurojmë gjë kundërshtarit”.

Grupi – “Kjo është një moshë delikate, U-21. Ata duhet të kenë shumë minuta në këmbë, duhet të jenë lojtarë formacioni dhe të kenë besim në vete. Kjo e bën të vështirë pak, kur ata nuk kanë minuta në këmbë, në kategori edhe të ulëta. Duhet të kemi më shumë besim, por them se jemi përmirësuar nga sa kemi qenë në të kaluarën. Vazhdojmë të përmirësohemi. Në ndeshjet e fundit kishim pothuajse një ekip tërësisht të ri, nga ajo ndeshje që luajtëm me Turqinë në mars, këtu në shtëpi. E kishim marrë pak me frikë, por na ndihmoi dhe koha që kishim 2 javë në dispozicion. Punuam mirë në teori dhe stërvitje, i bëmë mirë gjërat. Lojtarët janë inteligjentë dhe demonstrojnë atë që mësojnë.

Kosova – “Mua nuk më intereson Kosova. Më intereson vetëm ndeshja e radhës me Austrinë. Kosovën e pashë. Nuk është justifikim, por e kam thënë që terreni në Andorrë nuk ishte për futboll. Pastaj, Kosova ka një ekip të mirë, të fortë. I hapin probleme të gjithëve. Gjithsesi, ne kemi Austrinë, dhe Francën miqësore. E rëndësishme është që të luajmë mirë, pastaj vjen dhe rezultati”.