Ramadani sqaron gjestin e heqjes së fanellës gjatë festimit të golit ndaj Moldavisë

Ylber Ramadani ishte një nga risitë e Edy Rejës në formacionin titullar të Shqipërisë ndaj Moldavisë.

I grumbulluar në Kombëtare me urgjencë për të zëvendësuar Ledian Memushajn të dëmtuar, Ramadani arriti të linte shenjë në ndeshjen ndaj moldavëve, duke realizuar golin e 2-0 pas një veprimi shumë të bukur teknik.

Në një intervistë, lojtari 23-vjeçari nga Ferizaj ka folur për emocionet që i dhuroi goli i tij parë me Kombëtaren kuqezi, teksa sqaron pse hoqi fanellën gjatë festimit.

“Heqja e fanellës? Nuk e hodha, por ishte gëzim pasi të nisësh kualifikueset me gol është e veçantë. Golin ia dedikoj familjes, stafit dhe atyre që ishin këtu.

Numri 9? U çudita kur e pashë, por Memushaj më solli fat. Magazinieri na i bën numrat dhe më dha këtë 9. Besoj se ishte e llogaritur.

Partizani? Aty flet menaxheri im. Nuk ka pasur asgjë dhe kam folur me menaxherin. Ka pasur vetëm biseda dhe rikthimin në Shqipëri nuk e shoh si hap mbrapa pasi Partizani luan në Champions League. Do të shoh se çfarë do të bëj pasi kam edhe 2 vite kontratë”, tha Ramadani.