‘Fali zot se nuk dijnë ç’a bajnë!’, reagon gjyqtari Vjerdha: Formë moderne e luftës së klasave

Kreu i Gjykatës së Apelit në Shkodër, Fuat Vjerdha, i cili u shkarkua të hënën nga detyra, ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale.

Vjerdha, thotë se ai ka dalë kryenaltë nga ky proces, dhe e gjitha kjo është e ngjashme me persekutimin që i është bërë familjes së tij në kohën e komunizmit.

Ish-kryegjykatësi thekson se ai nuk ka vënë asnjë pasuri të paluajtshme gjatë 25 viteve që ka shërbyer në sistemin e drejtësisë, dhe gjithë çfarë ka janë trashëgimi nga nëna e tij, e cila ka qenë bije e familjes së persekutuar shkodrane Tafilica.

Ja reagimi i plotë i Vjerdhës: 

Të dashur miq!

Ju falenderoj nga zemra për mbështetjen që po më jepni me mesazhet tuaja dhe keqardhjen që shprehni për shkarkimin tim nga detyra fisnike e gjyqtarit, të cilen e ushtrova per 25 vite.

Kjo  situatë më kthej në vitin 1973, kur mua, që kisha mbaruar maturën me mesatare. 10, nuk mu dha e drejta e studimit nga komunistet ne pushtet, ne kuadër të zhvillimit të luftës së klasave.

Edhe atëherë, si sot, keqardhja shprehej nga të djathte e të majtë qe më njihnin.

E përsëris se nga salla e vetingut kam dalur kryenaltë, sepse u provua që nuk kam qënë dhe nuk jam i korruptuar, nuk kam lidhje me grupet kriminale,  nuk kam asnjë pasuri të paluajtshme, të krijuar nga unë, përveç atyre te trashëguara nga e ndjera nëna ime, bijë e familjes Tafilica, e respektuar në Shkodër.

Gjithçka tjeter është shprehje e formave moderne të vazhdimit të luftës së klasave, që po zhvillohet ndaj asaj pjese të shoqërisë sonë, e persekutuar gjatë monizmit, që une kam përfaqësuar në gjyqesorin shqiptar.

Mos ndjeni keqardhje per mua, por për ata që përgatiten dhe dhanë vendimet e datës 10.06.2019, kundrejt meje dhe një zonje tjetër shkodrane, kryetares së Gjykatës së Tiranes.

Fali zot se nuk dijnë ç’a bajñë!