Formula 1/ Vettel fiton në Kanada, por e pabesueshme çfarë i ndodh në fund

Lewis Hamilton fiton Çmimin e Madh të Kanadasë dhe thellon diferencën me ndjekësit në krye të klasifikimit të përgjithshëm.

Në Montreal, në fakt i pari në pistë u rendit Sebastian Vettel i nisur nga pole position, por gjermani i Ferrarit mori një penalitet prej 5 sekondash nga komisarët e garës për një dalje të gabuar nga pit stopi, pasi mund të kishte shkaktuar një kontakt me Hamilton.

Diferenca mes Vettel dhe anglezit në fund të garës ishte më pak se 1 sekondë e gjysmë dhe për shkak të penalitetit prej 5 sekondash, gjermani edhe pse kaloi finishin i pari , u rendit në vendin e dytë.

Vettel nuk e pranoi vendimin e komisarëve të garës, pasi u ndje i vjedhur dhe në shenjë proteste nuk e çoi fare makinën e tij në parkimin e 3 makinave fituese, madje bëri dhe një gjest, teksa i hoqi tabelën me numrin 1 Mercedesit të Hamilton, që tregonte fituesin duke i vendosur tabelën me numër 2.

Podiumi në Montreal u kompletua nga Ferrari tjetër i Charles Leclerc, ndërkohë që Valteri Bottas, Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo kompletuan 6-shen e parë.