‘Reforma në drejtësi si luga e floririt’-Iriqi bisedon me Ulsi Manjën

Iriqi: - Përgjimet ti i quajte sekret hetimor?

Ulsiu: - Po.

Iriqi: - Pra qenkan të vërteta ato që thuhen? Mos bëre autogol kështu?

Ulsiu: - Ato janë sekret ama ne nuk i quajmë të vërteta. Duket si paradoks, por ja që po të dish gjuhën ramishte e kupton.

Iriqi: - Gjuhën ramishte?

Ulsiu: - Po. Gjuha e Ramës dmth. Kështu tha ai dhe për çmimin e energjisë elektrike. E ulëm duke e rritur. Ose tha për Boden mamuth i vjedhjes dhe e bëri anëtar bordi të bankës. Metës i tha hajdut e më pas e votuam si president.

Iriqi: - Duket sikur bandat ju kanë në dorë.

Ulsiu: - Ka vite që na kanë. Oligarkët për ne janë si teleferiku kur ngjitesh në Dajt. Po stakuan ata energjinë  ngelim majë telave duke na tundur kabinën era. Ama pa ata nuk vinim dot kurrë në pushtet. Ramën do e shihnit sot te pedonalja e Tiranës duke pikturuar portretet e ca pensionistëve që shtyjnë kohën andej.

Iriqi: - Pritet që Rama të japë dorëheqjen?

Ulsiu: - Aq sa unë mund të flas rrjedhshëm. Po e pa keq ai do kërkojë takim me Saliun.

Iriqi: - Me Saliun?

Ulsiu: - Po. Do kërkojë të flerë te zyra e tij se vetëm atë ka frikë dhe vetëm tek ai ndjehet i sigurt.

Iriqi: - Po ju me reformën e keni kërcënuar opozitën.

Ulsiu: - Reforma në drejtësi është si luga e floririt që premtoi Enveri. Pas 50 vjetësh populli po vdiste nga uria Enveri u fliste për lugën. Kështu dhe reforma. Ikën gjashtë vjet. U shkri gjykata kushtetuese, gjykata e lartë. Tani heqim atë të apelit dhe po mbetëm në pushtet do heqim dhe maternitetin.

Iriqi: - Maternitetin?

Ulsiu: - Po. Se shqiptarët sa lindin e rriten pak mendjen e kanë të ikin. Ndaj materniteteve do u vemë kyçin dhe nuk sheh më fëmijë poshtë e lart.

Iriqi: - Pse nuk ndjehet askush nga socialistët?

Ulsiu: - Pse kur janë ndjerë. Psh Majko ka kohë që hesht. Po pret ndonjë qeveri tranzitore. Si Robinsoni që shpresonte t’i afrohej ndonjë anije. Kështu jemi ne të majtët. Kemi katër veshë për spiunime dhe flasim me gojën e liderit.

Iriqi: - Flitet se do ketë të tjera përgjime.

Ulsiu: -Kot lodhen. Tashmë populli na njeh mirë. Me vota nuk rrimë një minutë në qeveri. Por ja që tashmë vota s’ka vlerë. Vlerë ka sistemi ynë pa gjykata dhe me prokurori socialiste. Si kënga: ‘Me përgjime, pa përgjime, oligark, je jeta ime!’