Kamer Qaka shitet për të larë borxhet, firmos me klubin që merr pjesë në Europa League

Kamer Qaka do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin rumun të futbollit, por jo më te Poli Iasi apo Steaua Bukuresht të cilat zotëronin bashkërisht kartonin e tij.

Dy klubet kanë rënë dakord për transferimin e futbollistit të përfaqësueses shqiptare tek Universitatea Kraiova, një klub i cili në verë do të marrë pjesë në Ligën e Europës.

Qaka ka nënshkruar për 4 vite me klubin e ri, ndërsa ka opsion edhe për një tjetër në marrëveshjen e cila u firmos sot me akordin mes palëve.

Konfirmimi erdhi nga të gjitha klubet e përfshira, të cilat zyrtarizuan këtë marrëveshje që zgjidh një situatë të komplikuar, pasi Poli Iasi kërkonte të shiste me çdo kusht lojtarin i cili ishte kthyer në një barrë të rëndë për financat e klubit.

Mesfushori i ka kushtuar Universitateas 150 mijë euro, shifër të cilin Poli Iasi ia ka kaluar menjëherë Steauas së Bukureshtit ndaj të cilit ishte debitor.

Klubi donte më shumë të shpëtonte nga rroga e Qakës, i cili edhe në klubin e ri do të vazhdojë të paguhet 10 mijë euro në muaj.