Mihajlovic i kthen përgjigje Romës për stolin

Sinisa Mihajlovic ka vendosur të refuzojë kontaktet me Romën, duke bërë që në Bologna të festojnë, pasi do të kenë mundësi të vazhdojnë bashkëpunimin me serbin, edhe për sezonin e ardhshëm.

Aktualisht tekniku është në Beograd dhe vetëm pas pak ditësh pritet të kthehet në Bologna, ku e pret për takim Drejtori Sportiv, Walter Sabatini, por edhe drejtuesit e tjerë, Di Vaio dhe Fenuchi.

Nga ky takim pritet të hidhen edhe bazat për të ardhmen e klubit emilian, ku siç raportohet nga mediat në Itali, Mihajlovic ka kërkuar një kontratë 2 ose 3-vjeçare dhe ka listuar disa emra si “të paprekshëm” gjatë merkatos verore.

Plotësimi i këtyre kushteve pritet të jetë vendimtar për të ardhmen mes palëve, ndonëse te Bologna duken të gatshëm të mbajnë gjatë trajnerin serb, i cili arriti t’u sigurojë mbijetesën në Serinë A këtë sezon.