Cikalleshi 'zbulon' skemën e Rejës: Jemi gati për të luajtur me 2 sulmues

Sokol Cikalleshi ka folur për rikthimin në Kombëtare pas një mungese të gjatë.

Në një intervistë për “Supersport”, bomberi kavajas tregon atmosferën në ekipin kuqezi që tashmë është nën udhëheqjen e trajnerit të ri Edi Reja.

Cikalleshi gjithashtu foli edhe për mundësitë më të shumta që ka për të qenë pjesë e formacionit titullar.

Si po shkon java e parë e grumbullimit me Kombëtaren Shqiptare?
Jemi këtu prej disa ditësh dhe çdo gjë po shkon më së miri. Ambienti ka ndryshuar dhe ka më shumë pozitivitet mes nesh. Stërvitjet janë mjaft të mira dhe në ritmin e duhur. Duhet të vijojmë kështu, pasi jemi në rrugën e duhur.

Mendoni që skuadra ka gjetur qetësinë dhe frymën e lartë të grupit, nën drejtimin e Rejas?
Duket qartë ndryshimi mes Panuccit dhe Rejas, pasi si lojtarët, ashtu edhe stafi, janë shumë më të lirshëm. Reja është një trajner që u jep hapësirën e duhur lojtarëve, brenda normave të profesionalizimit. Ka qenë shumë afër me të gjithë lojtarët, duke folur me të gjithë personalisht dhe kjo rrit harmoninë e na nxit të japim maksimumin si brenda, edhe jashtë fushe.

Keni munguar për gati një vit në Kombëtare. Çfarë ka ndryshuar nga qershori i 2018-ës, në qershorin e këtij viti?
U bë një periudhë e gjatë mungese, pasi gjatë vitit të kaluar kam qenë i dëmtuar në kohët e grumbullimeve, por ka pasur raste kur ka peshuar edhe vendimi i Panuccit për të më lënë jashtë. Janë gjëra të kaluara tashmë, ndërsa unë jam gati të bëj më të mirën në fushë dhe të ndihmoj shokët. Shpresoj të gjejmë rezultatet e duhura.

Reja preferon skemën 3-5-2, gjë që pritet ta aplikojë edhe te Shqipëria. Preferoni të luani si sulmues i vetëm, apo me një partner në krah?
Gjatë stërvitjeve që kemi bërë, kemi praktikuar skemën 3-5-2. Prej një kohe të gjatë kemi luajtur me një sulmues dhe konkurrenca dhe harmonia mes sulmuesve ka qenë shumë e mirë. Tani rriten shanset që të luajnë dy dhe mendoj se është shumë mirë. Rëndësi ka që të skema të aplikohet mirë dhe të sjellë rezultat për Shqipërinë.

Cila do të jetë e ardhmja e Cikalleshit, pasi Akhisar ra në ligën e dytë turke?
Unë kam një kontratë 3-vjeçare me Akhisarin dhe jam pjesë e këtij ekipi. Sa kohë që jam aty, nuk mund të flas shumë, ndonëse mund të them që preferoj të qëndroj në Superligën turke. Kam pasur kontakte, por është ende herët për të folur për merkaton. Fillimisht të përqendrohemi te Kombëtarja dhe pastaj do të merrem edhe me të ardhmen time. Me shumë gjasa do të vijoj në Superligën turke.