Nuk ndalen lejet e ndërtimit, 245 në tre muaj, 94 vetëm në Tiranë!

Nuk ndalen lejet e ndërtimit, veçanërisht në bashkinë e Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj. Sipas të dhënave zyrtare të dala nga Instituti i Statistikave, gjatë tre muajve të para të këtij vit u dhanë 245 leje ndërtimi, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Veçanërisht gjatë tre viteve të fundit, lejet e ndërtimit po rriten me ritme teje të shpejta. Kjo kohë përkon afërsisht me heqjen e moratoriumit për dhënien e lejeve të reja dhe me aplikimin e sistemit të lejeve online. Zhbllokimi administrative i lejeve, kanë shtuar kërkesën për ndërtime të reja. Gjithashtu, një efekt në rritjen e numrit të lejeve po jep edhe kufizimi i të ndërtuarit pa leje. Nga 161 leje për ndërtime rezidenciale gjithsej, rreth 80% i takon ndërtimeve me më pak se dy kate.

Sipas Instat, lejet e miratuara për ndërtesa banimi zinin rreth 66% të numrit total të lejeve, ndërsa ndërtesat për qëllime tregtare dhe industriale përbënin 34% të lejeve të dhëna. Kjo tregon se tendenca e investimeve në pasuri të paluajtshme nga bizneset ngelet pozitive. Në tremujorin e parë të vitit u dhanë 28 leje për ndërtimin e hoteleve të reja. Ky segment i tregut po shfaq gjallëri të lartë, i nxitur edhe nga rritja e vazhdueshme e turizmit në vitet e fundit.

Edhe për tremujorin e parë të këtij viti qarku me numrin më të madh të ndërtimeve të reja të miratuara ishte Tirana. Numri total i lejeve të ndërtimit ishte 94, në rritje me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa tjetër e lejeve të ndërtimit u përqendrua sidomos në qarqet e Fierit, Durrësit dhe Elbasanit.

Për këtë bun të paprecedentë të ndërtimeve veçanërisht në kryeqytet, mjaftë ekspertë të ekonomisë kanë hedhur dyshime për një pastrim masiv të parave të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky dyshim përforcohet edhe nga raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe agjencive ligj-zbatuese të vendeve kryesore të BE-së. Për specialistët e fushës është e çuditshme që ndërkohë që ndërtohet kaq shumë me shpejtësi të madhe, çmimet e apartamenteve dhe ambienteve vijojnë të rriten edhe pse kërkesa është e ulët.