Fjalimi i Angela Merkel në Harvard: Rrëzoni muret....

E ftuar për të përshëndetur ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Harvardit, kancelarja gjermane Angela Merkel foli për çështje mbi të cilat ajo nuk bie dakord me presidentin Trump. Ajo u shpreh kundër proteksionizmit tregtar dhe nënvizoi rëndësinë e rrëzimit të mureve, sidomos muret e injorancës të ngritur në mendjet e popujve.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e përdori fjalimin në ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Hardvardit për të adresuar çështje për të cilat ajo nuk bie dakord me presidentin Trump, nga tregtia, dezinformimi e deri te muret, por pa përmendur drejtpërdrejt emrin e tij.

"Sot më shumë se kurrë, mënyra jonë e të menduarit duhet të jetë shumëpalëshe dhe jo e njëanshme, globale dhe jo kombëtare, largpamëse dhe jo izoluese. Shkurt, ne duhet të punojmë së bashku dhe jo të vetmuar," tha Merkel.

Në pushtet prej 14 vjetësh, Merkeli u prezantua përpara publikut si "udhëheqësja de facto e Bashkimit Europian".

Here pas here ajo e përdori fjalimin për të mbrojtur vlerat politike në të cilat beson.

"Partneriteti ndëratlantik mbështetet mbi vlera të tilla si demokracia dhe të drejtat e njeriut të cilat na kanë ofruar një periudhë të gjatë paqeje nga e cila kemi përfituar të gjithë. Proteksionizmi dhe konfliktet rrezikojnë lirinë e tregtisë ndërkombëtare dhe gjithashtu bazën e prosperitetit tonë," u shpreh ajo.

Administrata Trump ka ndjekur një qasje të ashpër ndaj tregtisë, duke vendosur tarifa ndëshkuese mbi aluminin europian vitin e kaluar, është angazhuar në një luftë tregtare me Kinën dhe gjithashtu ka paralajmëruar tarifa ndaj Meksikës./ora/