Një raport i dalë nga mjalti i Edi Ramës!

Ndryshe nga raporti i djeshëm i KE-së për Maqedoninë e Veriut i cili ishte ‘copy paste’ nga viti i kaluar, ai i përpiluari për Shqipërinë kishte goxha ‘ndryshime dhe kritika’, edhe pse konkluzioni ishte sërish: hapjani negociatat.

Përveçse ndonjë fjalë, tek- tuk, për koncesionet e Edi Ramës pasi u bë e përgëra kapicë dhe pasi financat  e vendit po futen në ‘vrimë të miut’, goditja më e madhe që ju dha qeverisë Rama ishte ajo për ‘diskriminimin’ e komunitetit LGBTI.

Ishin plotë 7 vërejtje të forta duke nisur që nga fakti, se përse nuk ju japin shtëpi falas aq sa duhet; pse 10 prej tyre kanë kërkuar azil në BE; pse ju ‘bëhen numra’ për të përhapur kauzën e tyre nëpër shkolla, etj, etj.

Përkrahë këtyre ‘shuplakave të forta’ për qeverinë Rama, kushdo do të priste që hartuesit e këtij raporti të shkruanin ndonjë fjalë, edhe për mbi 2 miliard eurot e dhëna nëpërmjet PPP-ve e tenderave pa garë vetëm për një grusht biznesmenësh, afër kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë Tiranë.

Bëjnë mirë që janë shqetësuar për strehimin e anëtarëve gay në vendin tonë, por sikur të shkruanin edhe dy gisht letër për prishjet e jashtëligjshme që ju bëhen mijëra familjeve, jo vetëm në Astir. Gjithashtu mirë bëjnë që ngrenë alarmin, pse 10 prej tyre janë detyruar që të kërkojnë azil jashtë vendit si pasojë e diskriminimit, por të paktën një gisht letër për ata 400 mijë shqiptarët e tjerë që kanë ikur këto 6 vite jo nga qejfi, mund edhe ti shkruanin. Se për krim të organizuar, drogë e korrupsion, as që bëhet fjalë.

Çështja është se këto që shkruhen dhe ato që ‘harrohen’ në këto raporte për Shqipërinë dhe lexohen më pas në Bruksel, dikush i formulon. Për ata që nuk e dinë, dorë e fundit kësaj panorame për Shqipërinë që duhet parë në Bruksel ja jep raportuesi për vendin tonë në KE. Dhe ai është tashmë i famshmi Knut Fleckenstein, i cili në zgjedhjet e fundit për parlamentin europian nuk fitoi dot, as ‘në fshatin e tij’.

Ky zotëri që e ka gojën ‘mjaltë e sheqer’ sa herë që flet për Shqipërinë Ramës, e lëre pastaj kur shkruan raporte më në detaje, të dhënat në fakt i mbledh këtu në Tiranë nga selia e Bashkimit Europian. Kjo ambasadë deri dje drejtohej nga Romana Vlahutin, e cila në fund të mandatit të saj, as që përpiqej më ta fshihte a ta maskonte faktin se ishte ‘e dashuruar’ me Ramën e Rilindjen. Që dashuria e fortë ti errëson e ju vë perde syve, këtë as që e diskuton njeri, ndaj nuk kemi pse ta fajësojmë. Por kjo Tirana jonë veçanërisht këto vitet e fundit është bërë aq e ëmbël, sa që edhe ky Fleckenstein sa herë që vinte e bënte ‘kontrolle’, na shfaqej me sy të perënduar e duar të zgjatura drejt hireve femërore. Me pak fjalë, edhe ky i rënë brenda në pusin e errët të dashurisë.

Pra ky së bashku me zonjëzën Vlahutin, gjithmonë me zjarr përbrenda e vështrim të perënduar, vitin e kaluar ‘na i hapën’ negociatat, kurse Rama nga ana e vetë, hapi shishen e shampanjës. Se çfarë bëhej në Shqipërinë reale, asnjë rresht nuk u shkrua, por çfarë rëndësie ka kjo. Ashtu siç thotë edhe vetë Edi Rama; imazhi i vendit në gjuhë të huaj ka rëndësi, se të tjerat këtu brenda, rregullohen `avash-avash` (siç thotë Edogan). Por ja që ‘për ca arsye politike të brendshme’  në fakt sheqeri i Raportit të tyre dhe glukoza e shampanjës së Ramës, duket se nuk mjaftoi që të ngjiste gishtat e ministrave të jashtëm të BE-së mbi stilografin, me të cilin do të hidhnin firmën e tyre pro.

Por s`ka problem, `avash-avash` bëhen punët e mira; I ‘hapëm vjet` por ashtu ishte një muhabet ndaj nuk i hapëm, ndaj i hapim prapë sivjet pa problem. Rëndësi ka, që ata që raportojnë realitetin e Shqipërisë së Ramës janë të njëjtët dhe stoik në atë që ‘shikojnë’. Nuk ja dolëm dot fillimisht, vetëm me zonjëzën Vlahutin që ti shtynim mandatin, por s`ka problem. Pusin e thellë të errët, por plot mjaltë të dashurisë e kemi gati. Mjafton të hedhësh hapin e parë dhe bulldum; brenda.

Kështu edhe me ambasadorin, Luigi Soreca. Kur shkeli në Tiranë, plasi shpresa dhe gëzimi. Epo i biri i botës, ka pas luftuar me mafien e Palermos, pastaj ka kontribuar për ligje të forta anti-krim në Itali e BE. Ky po që do ti japë drejtim; i drejtë dhe pa kompromis!

Mirëpo aq i drejtë ishte Soreca, sa që duke ecur që në fillim të detyrës së tij të rëndësishme vetëm drejt, nuk e pa se po kalonte mbi grykën e maskuar të pusit të Ramës. Dhe kështu një hap të ‘gabuar’ në prag të pensionit dhe bulldum e brenda, në mjaltin e Rilindjes.

 Aty Brenda vërtetë është errësirë, por edhe ëmbëlsi parajse. Nuk ka rëndësi nëse shikon apo jo, rëndësi ka ajo që shijon. Dhe nëse je ti në rregull me mjaltin, e ëmbël është edhe Shqipëria e Ramës.

E di çfarë thonë këta të opozitës për mua o vëlla- i shkruan Rama që nga lart- Se unë qenkam i lidhur me krimin dhe bëj shumë korrupsion!

Epa besueshme, vëlla-përgjigjet ambasadori i Be-së që nga poshtë, në fund të pusit.

-A e pe mo vëlla, a e pe!

Çmenduri-përgjigjet fare shkurt sërish Luigi, sepse është me sytë në errësirë dhe gojën plot mjaltë!

Dhe kështu vazhdon kjo histori me pus e mjaltë, ku bien këta ambasadorë që vijnë në Tiranë të ngrysur e të dëshpëruar sikur i kanë internuar dhe ikin pas ca vitesh vetëm kur i shkulin me dhunë nga qendra, me lot në sy!