Shpifën sikur ishte 'rrëmbyese fëmijësh', qeveria e Kosovës merr në mbrojtje gruan e pafajshme rome

Qeveria e Kosovës ka marrë në mbrojtje, gruan rome që u diskriminua dhe u godit ashpër moralisht në rrjetet sociale dhe deri edhe fizikisht, pasi në internet përhapën fotografi të sajt duke e akuzuar si rrëmbyese fëmijësh.

Deputeti Albert Kinolli njoftoi sot në Fb: Dëshiroj t’ju njoftoj se para një ore bisedova me drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Rashit Çalaj dhe para pak minutave më konfirmoi se zonja nga komunitëti rom, që sot, do të jetë nën mbrojtjen shtetërore dhe institucionale dhe do të jetë e strehuar në vend të sigurtë dhe se Gjykatat dhe Prokuroria janë duke bërë punën e tyre që ata persona, të cilët e sulmuan personin në fjalë, të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.”

Diskriminim në Kosovë: Ajo nuk rrëmben fëmijë, është thjesht një grua rome ndaj të cilës u nxit urrejtje!

Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), ka dënuar ashpër sulmin i cili ndodhi një ditë më parë në Lipjan, ku një grua e komunitetit rom u sulmua, nga disa të rinj të këtij qyteti. Ajo madje mori edhe lëndime trupore. Rrjeti i grave të komunitetit RAE deklaron se një sjellje e tillë është brutale dhe po bëhet ndaj një gruaje e cila vjen nga komuniteti rom.

“…. e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave.

Përderisa Policia e Kosovës, ka deklaruar se gruaja e cila ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal, por e cila u sulmua pasi që grupe të ndryshme online, kanë alarmuar duke mashtruar për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, nuk duhet të mbetet me kaq.

Por se rasti duhet të qartësohet deri në fund dhe akteret e këtij rasti, të cilët ushtruan dhunë ndaj një gruaja rome, të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e RROGREAEK. Ky rrjet fton institucionet përkatëse që të marrin rastin parasysh dhe të marrin masa disiplinore ndaj sulmuesve, duke të trajtuar rastin deri në fund.

“RROGRAEK po ashtu u bënë thirrje institucioneve arsimore në Kosovë, që të kenë kujdes me fëmijët, tek të cilët të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të komuniteteve tjera dhe të ketë sulme në baza racore, si në rastin me gruan e komunitetit rom”, përfundon njoftimi.

E gjatë ditës së djeshme në media por edhe grupe të ndryshme në rrjetet sociale u shpërnda fotografia e gruas në fjalë për të cilën thuhej se po i rrëmben fëmijët. Por, Policia e Kosovës ka sqaruar se akuzat e tilla nuk kanë rezultuar të jenë të sakta dhe se gruaja e cila akuzohej nuk kishte asnjë vepër penale në polici e as nuk ishte e njohur si grua problematike për këta të fundit.