Vrasja e Majollarit, gjykata pushon hetimet, lirohet Kastriot Gjuzi

Pushohen hetimet për Kastriot Gjuzin, i akuzuar për vrasjen e Mario Majollarit rreth një vit më parë. Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar pushimin e procedimit, pasi nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Gjuzit.

E pranishme në seancën e së martës në Gjykatën e Tiranës ishte edhe nëna e Majollarit, e cila nuk ishte dakord me këtë vendim. Prokurori ka argumentuar në seancë se nuk janë gjetur provat materiale, si arma e krimit dhe për këtë nuk vërtetohen pretendimet.

Nëna e Majollarit duke folur për mediat, është shprehur e revoltuar dhe thotë se do të apelojë vendimin. Më tej ajo shtoi se pretendimi i prokurorisë për të gjetur armën 9 ditë pas vrasjes nuk qëndron, ndërsa mohon se ata familjarisht kanë probleme të tjera që mund të çonte në vrasjen e djalit të saj.

Gjuzi u arrestua në Kosovë me iniciativën e policisë, pa kaluar as 48 orë nga krimi i rëndë. Ai dyshohej se e ekzekutoi 28-vjeçarin për motive gjakmarrje, pasi babai i Mario Majollarit i kishte vrarë vëllain Ilir Gjuzi në vitin 2000. Mario Majollari u ekzekutua me katër plumba mbrëmjen e 10 prillit të një viti më parë, në rrugicën e shtëpisë së tij, vetëm 5 ditë pas ishte kthyer nga Suedia ku i ishte refuzuar azili.