Ka shkelur ligjin/ Rama e ka detyrim të bëjë testin e drogës. Ja dokumenti

A është kryeministri Edi Rama përdorues droge dhe a duhet ti nënshtrohet ai testit për të është një prej temave më të debatuara të politikës shqiptare vitet e fundit.

Edhe pse opozita ia ka kërkuar disa herë publikisht një gjë të tillë, kreu i mazhorancës e ka refuzuar një gjë të tillë.

Por testi i drogës për zyrtarët është detyrim ligjor. Këtë e thotë dokumenti që ka publikuar sot studiuesi dhe arkivisti i njohur Kastriot Dervishi.

"Në pikën 4 të VKM-së, nr.122, datë 15.3. 2001, ndryshuar me VKM nr.388, datë 28.6.2007, “Për shqyrtimin e pastërtisë dhe për dhënien e certifikatës së sigurisë personave që do të njihen me informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, ndër të tjera thuhet se DSIK ka të drejtë të marrë informacione edhe për raportin që ka kandidati ndaj drogës dhe alkoolit. Dokumenti që lëshonte DSIK quhej CS (certifikatë sigurie)", shkruan Dervishi,

Ja postimi i plotë i studiuesit Kastriot Dervishi:

Testi i drogës për zyrtarët është kërkesë ligjore

Jo rrallë në Shqipëri është diskutuar testi i drogës për politikanët, duke anashkaluar faktin kryesor se kjo është kërkesë ligjore në fakt. Ashtu sikundër një sportist nuk meriton medaljen e nderit, një politikan apo zyrtar që ka në dorë vendimmarrjen, e ka për detyrë t’i nënshtrohet analizës se nuk është nën ndikimin e lëndëve narkotike.

Certifikata e sigurisë është një dokument me të cilën pajisen zyrtarët e shtetit që administrojnë apo qarkullojnë informacion të klasifikuar. Zyrtarët i nënshtrohen një kontrolli të imët të figurës së tyre, si dhe duhet të vetëdeklarojnë në formularin përkatës të dhënat që kërkon ligji dhe VKM-ja përkatëse. Të gjitha këto rrjedhin nga nenet 25 e 31, të ligjit nr.8457, datë 11.2.1999, "Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror", i ndryshuar. Duke mos u ndaluar në tërësinë e akteve ligjore, do prek historikun e një pike që ka të bëjë me përjashtimin e përdoruesve të drogës nga marrja e përgjegjësive shtetërore. 

Në pikën 4 të VKM-së, nr.122, datë 15.3. 2001, ndryshuar me VKM nr.388, datë 28.6.2007, “Për shqyrtimin e pastërtisë dhe për dhënien e certifikatës së sigurisë personave që do të njihen me informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, ndër të tjera thuhet se DSIK ka të drejtë të marrë informacione edhe për raportin që ka kandidati ndaj drogës dhe alkoolit. Dokumenti që lëshonte DSIK quhej CS (certifikatë sigurie). 
Kjo VKM u shfuqizua me VKM-në nr.188, datë 4.3.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, sipas së cilës tashmë kemi pajisjen me CSP (Certifikatë të sigurimit të personelit), e nevojshme “për njohjen, prodhimin, ruajtjen, administrimin, transportimin dhe transmetimin e informacionit të klasifikuar gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare ose në përmbushje të një veprimtarie në kuadrin e respektimit të parimit “nevojë për njohje”. Në nenin 14/e te “kriteret themelore të vlerësimit të sigurisë”, përjashtohen nga marrja e certifikatës personat që kanë “një historik varësie nga alkooli, përdorimi i drogave të jashtëligjshme, apo keqpërdorimi i drogave të ligjshme”. 

Kjo do të thotë se nëse ka dyshime për cilindo zyrtar që është përdorues i lëndëve narkotike ai patjetër duhet t’i nënshtrohet analizave përkatëse. Si nëpunës i pajisur gjithnjë me certifikatë sigurie, asnjëherë nuk e kam problem t’i nënshtrohem testit të drogës nëse do kërkohej nga ndonjë instancë e pushtetit ose opozitës. Por në legjislacionin shqiptar kjo pikë duhet saktësuar nga vetëdeklarimi në vërtetimin e dyshimit. Zyrtarët apo politikanët që refuzojnë testin e drogës, nuk ka dyshim se janë të droguar.