Washington Post: Si po e tradhton BE Ballkanin Perëndimor

“Si po e tradhton Bashkimi Europian, Ballkanin Perëndimor”. Ky është titulli që Washington Post ka përzgjedhur të përshkruajë marrëdhënien mes Brukselit dhe vendeve të rajonit, në prag të zgjedhjeve europarlamentare. Në artikullin e shkruar nga politologu i specializuar për çështjet e Europës Juglindore, Jasmin Moujanovic thuhet:

“Në 16 vitet e fundit, Brukseli i ka premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, rajoni më i nxehtë i kontinentit, se e ardhmja e Ballkanit është në BE. Megjithatë Brukseli ka bërë një kthesë të dukshme për sa i përket idesë së zgjerimit të ardhshëm”.

Autori thotë se asnjë nga vendet e rajonit nuk i ka përmbushur standardet për e anëtarësimit, por perspektiva europiane përdoret nga Brukseli si e vetmja mënyrë për të nxitur reformat dhe arritjen e standardeve. Perspektiva europiane rezultoi e vetmja mënyrë për të ulur gjakrat në rajonin e nxehtë të kontinentit, shkruhet në artikull, ku si shembull për këtë sillet marrëveshja Shkup-Athinë, që solli emrin e ri Maqedoni e Veriut. Perspektiva ka shërbyer edhe si mjet gjeopolitik për të mbajtur larg rajonit influencat ruse, turke apo kineze.

Skepticizmi ndaj zgjerimit ka ndihmuar të moderuarit në vendet e BE të ndalojnë një rrjedhje pushteti tek radikalët. Dhe në këtë kontekst çfarë vlere do të ketë hapja e negociatave kur Presidenti Macron duket se e ka përjashtuar pa afat mundësinë e zgjerimit të BE?

Si zgjidhje, autori i propozon Brukselit të ndryshojë kurs, të hapë menjëherë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ta bëjë Bosnjen vend kandidat. Po ashtu të krijojë një plan afatgjatë për rajonin për të garantuar normat e demokracisë liberale për t’iu kundërpërgjigjur fort Rusisë dhe të ngjashmëve të saj.