Dëmtimi po e lë jashtë Kombëtares, Strakosha në pritje të kontrolleve mjekësore
Thomas Strakosha do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
Portieri i Kombëtares shqiptare në finalen e Kupës së Italisë bëri një sakrificë të jashtëzakonshme, duke zbritur në fushë me ndihmë e injeksioneve.
Strakosha pritet të humbë dy ndeshjet e qershorit me kuqezinjtë, përballjen ndaj Islandës dhe Moldavisë të vlefshme për eliminatoret në Euro 2020.
“Telesport” kontaktoi me gazetaren e atashuar pranë Lazios, që punon për “lalaziosiamonoi.it”, Laura Castellani, e cila shpjegoi situatën reale të portierit shqiptar:
“Strakosha kishte ndaluar (për shkak të problemeve fizike) edhe para finales së Kupës së Italisë. Në vend të tij kishte luajtur Proto. Pastaj, në finalen me Atalanta, drejtuesit e Lazio vendosën që portën ta mbronte ai. Më pas, Thomas ndaloi sërish. Guerrieri luajti kundër Bologna. Në orët e ardhshme, portieri do t’iu nënshtrohet kontrolleve të tjera mjekësore. Është e vërtetë se në finalen e Kupës së Italisë ka luajtur me injeksione, por nuk ka një vlerësim të stafit mjekësor, se gjendja e tij u përkeqësua nga ky fakt.
Më duhet t’ju kujtoj se në ndeshjen e Serie A, kundër Atalanta (dhjetë ditë para finales së Kupës Italiane), Strakosha e përfundoi nxemjen më herët se të tjerët, pasi kishte shqetësime fizike. U kthye në dhomën e zhveshjes, mori injeksione me kërkesën (dëshirën) e tij dhe luajti. Proto, portieri i dytë, filloi nxemjen, por Strakosha kërkoi të luante ai. E njëjta skemë u ndoq edhe në finalen e Kupës së Italisë. Me dëshirën e vetë portierit, stafi teknik vendosi që ai ta mbronte portën, duke marrë injeksione para lojës”.