Igli Tare i vë notën sezonit të Lazios

Lazio këtë sezon arriti të fitojë Kupën e Italisë në finalen me Atalantën dhe deri diku mund të quhet i suksesshëm, pavarësisht se nuk mundi të kualifikohet në Champions League.

Drejtori i klubit lacial, Igli Tare, i vë notën sezonit të ekipit, teksa flet edhe për trajnerin Simone Inzaghi.

“Nota e sezonit tonë është 7. Do të ishte 9, nëse do të kishim shkuar në Ligën e Kampioneve. Duhet kohë, por ne vazhdojmë të rritemi. Me punë dhe me planifikim do të ecim përpara.

Inzaghi? Ka një moment reflektimi mes palëve. Në ditët e ardhshme do të takohemi me Simonen dhe të shohim se çfarë do të bëjmë.

Juventusi interesohet për të? Nuk jam unë ai që duhet të përgjigjet. Nuk i kam bërë kurrë gjërat me hamendje. Nuk i kam bërë kurrë vetes këtë pyetje. Të ishte për ne, ai duhet të qëndrojë, është një lacial nga koka te këmbët”, deklaroi Tare.