Bashkia i heq rrugës emrin ‘Mentor Xhemali’/ Manjani: Le të kapardisen kaposhët e Rilindjes, do harrohen dhe...
Bashkia e Tiranës, 6 muaj më parë ka hequr emrin e një rruge në Selitë, që mbante emrin e muzikantit të shquar ‘Mentor Xhemali’.
Djali i muzikantit, Maksim Xhemali është shprehur se u njoftua nga një shok për heqjen e emrit, dhe ndonëse ka bërë kërkesë në Bashki nuk ka marë asnjë përgjigje.
Lidhur me këtë akt të turpshëm të Bashkisë së Tiranës, ka reaguar edhe ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Përmes një postimi në Facebook, Manjani ndër të tjera shprehet se, Mentor Xhemali është i përjetësuar tashmë në trashëgiminë kulturore, që nuk ka rilindas që e vjedh e as e shkul dot.
Reagimin e tij Manjani e shoqëron edhe me një këngë të muzikantit.
Reagimi i plotë i Ylli Manjanit:
Për kaposhët e Rilindjes, që nuk kuptojnë se Mentor Xhemali është pjesë e kulturës kombëtare dhe jeton thellë në shpirtin e këtij populli.
Mirë bënë që i hoqën emrin nga rruga e cila kush e di sa herë është vjedhur me tender...
Mentor Xhemali nuk mund të përjetësohet në rrugë, aq më pak në rrugë tenderash.
Ai është i përjetësuar tashmë në trashëgiminë kulturore, që nuk ka rilindas që e vjedh e as e shkul dot.
Le të kapardisen kaposhët, se thjesht do harrohen e mbulohen me turp.
Mentori vetëm lartësohet.