Sa herë që zihet ngushtë, Edi Rama flet në emër të SHBA e BE/ Ja çfarë tha sot

Kreu i qeverisë Edi Rama në takimin që ka pasur sot me kandidatët e PS-së për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, ka marrë përsipër që të flasë në emër të SHBA-ve dhe të BE-së.

Duke iu referuar mundësisë së prishjes së zgjedhjeve nga opozita, Rama tha se të gjithë ata që do të ndërhyjnë në kutitë dhe qendrat votimit, do të futen në listën e zezë të SHBA-ve dhe BE-së.

Nuk dihet nëse kryeministri shqiptar ka marrë garanci nën tavolinë, për këtë deklaratë që ka bërë, po duket se kjo nuk është hera e parë që ai flet njësoj si të ishte përfaqësues i ambasadave në Tiranë.

 ‘Kush i afrohet një qendër votimi me mendje të keqe djeg veten, jo zgjedhjet! Të infromohen këta të fundit se çfarë parashikon kodi penal, për individin që prek një hallkë të vetme të zinxhirit të procesit zgjedhor. Kodi penal është shumë i ashpër në këtë aspekt.

Jo që nuk ia vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme që të nxit të shkosh me këmbët e tua në duart e drejtësisë por që mund të të fusë dhe në listën e zezë të të dënuarve për krime zgjedhore të cilëve do tu hiqet përgjithmonë e drejta e hyrjes në SHBA dhe Bashkimin Europian’, deklaroi sot Rama.

Në një situatë të ngjashme, Rama gjendej dhe rreth një vit më parë, kur plasi skandali me ish-ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj, i vëllai i të cilit u përfshi në një përgjim droge, ku rrezikohej jo vetëm karrigia e Xhafajt po dhe e të gjithë qeverisë.

Në mes të një debati të nxehtë në Kuvend, Rama krijoi një precedent të ri në marrëdhënie me ndërkombëtarët; sipërmarrjen për të shprehur qëndrimet e tyre ende të pabëra publike.

‘Nëse në këtë zhurmë do të kishte një grimcë përgjegjësi të ministrit tonë të Brendshëm, përpara se të flisnin këta, do fliste miku ynë protagonist i jetës sonë publike, ambasadori amerikan dhe i BE. Do flisnin ata që nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ata as kanë folur dhe as kanë çfarë të thonë fare. Për ata ky është një fakt i njohur dhe nuk përbën asnjë implikim direkt ose indirekt qoftë të qeverisë së këtyre, qoftë tonën’, tha Rama në 10 maj 2018 nga foltorja e Kuvendit.

Ndërsa kjo deklaratë la të çuditur të gjithë opinionin publik, ambasadori i atëhershëm Donald Lu nuk vonoi të deklaronte:

‘Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj’.

Me sa duket ky nuk ishte një leksion i mësuar nga Kryeministri ynë i cili kësaj here futi në listë edhe BE-në./Faxweb.al