Ambasada: Kujdes nga mashtruesit e vizave amerikane, që ju kërkojnë miliona

Ambasada amerikane në Tiranë i ka paralajmëruar sërish sot qytetarët shqiptarë të mos bien pre e mashtruesve që ju premtojnë viza për në SHBA.

Në një njoftim në internet, ambasada jep udhëzimin dhe fton qytetarët të sqarohen me konsullen Anna në profilin e "U.S. Embassy-Tirana" në Facebook:

"Jeni në kërkim të punësimit nëpërmjet vizës EB-3 të imigrimit me bazë punësimi në Shtetet e Bashkuara? Ne ju këshillojmë që të përzgjidhni me shumë kujdes këshilluesin tuaj. Mos bini pre e këshillave të gabuara apo çmimeve të larta nga çdo burim. Gjithnjë kërkoni informacion zyrtar në www.uscis.gov

Ju duhet të keni aftësitë e kërkuara për vendin e punës, punëdhënësi duhet të dërgojë formularët e kërkuar në Departamentin e Punës dhe USCIS, dhe vetëm më pas NVC do të caktojë takimin tuaj në Sektorin Konsullor."