Presidenti i Atleticos i zhgënjyer me Griezmann: Nuk e prisja këtë!

Presidenti i Atleticos, Enrique Cerezo ndihet i zhgënjter pasi Antoine Griezmann i kërkoi largimin nga “Los Colchoneros”.

Në një intervistë për mediat iberike, Cerezo shprehu të gjithë zhgënjimin e tij për lamtumirën e kampionit të botës e cila ka qenë si një rrufe në qiell të hapur për të.

“Më shumë se i acaruar, jam i zhgënjyer, pasi realisht mendoja se Griezmann do të kishte një të ardhme të madhe këtu me ne. Do të fitonim tituj të rëndësishëm dhe shumë trofe së bashku. Problemi është se çdo njeri e shikon ndryshe një situatë të caktuar.

Ne e respektojmë vendimin e tij. Ishte diçka e befasishme, jam i zhgënjyer. Nëse do të isha këshilltari i tij, do t’i sugjeroja të qëndronte këtu, jeta është e mirë këtu dhe të gjithë e konsideronin Griezmannin si një njeri të rëndësishëm”, përfundoi Enrique Cerezo.