Dy konferenca të jashtëzakonshme, për të treguar se situata është e zakonshme!

Strategjia e vetme që i ka mbetur Edi Ramës për të ndjekur në këtë situatë, duket se është ajo që ka për synim që t`ju tregojë shqiptarëve, por veçanërisht militantëve të Rilindjes, se nuk ka krizë dhe çdo gjë është në rregull me qeverinë dhe partinë. Dhe për të treguar se në Shqipëri është situata e zakonshme, u detyrua që brenda 48 orëve të zhvillojë dy konferenca shtypi të jashtëzakonshme!

Në të dy daljet maratonë të së dielës dhe të martës, Rama u përpoq që të shfaqej i qetë dhe “i dashuruar sërish” me gazetarët, por rrënimi i dukej sa herë që detyrohej që të gënjente. Për shembull ditën e diel në përpjekje që të demonizonte opozitën e sotme dhe protestat e saj, nisi të bënte krahasime me protestën e 21 Janarit 2011.

 Tha se kur ai ishte në opozitë në atë ditë, mbi policinë, “nuk ishte hedhur asnjë guriçkë”.

Kjo gënjeshtër e trashë ju demontua nga mediat menjëherë pasi u mbyll konferenca, të cilat risollën pamje nga 21 Janari kur jo me guriçka, por gurë të mëdhenj e pllaka betoni të shkulura nga trotuari, u lëshuan breshër mbi uniformat blu. Pikërisht këtë gënjeshtër u përpoq që ta “ndreqte” në konferencën e dytë të jashtëzakonshme ditën e martë, me anë të një mashtrimi tjetër fare të pacipë. Tha përpara të njëjtëve gazetarë dhe dhjetëra mijë shqiptarëve që e ndiqnin live se, “nuk kam folur fare për gurë” 48 orë më parë!

Për të treguar se çdo gjë shkon vaj në Shqipërinë e tij, Rama tha gjithashtu se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvilloheshin normalisht, edhe pse në rreth 30 bashki, kandidatët e tij nuk do të kishin përballë qoftë edhe rivalë formalë. Brenda kësaj linje ai deklaroi gjithashtu, se edhe sikur nami të bëhet, ai dhe qeveria e tij nuk lëviz.

E gjithë retorika e Ramës në këto dy konferenca të jashtëzakonshme synonte të qetësonte të gjithë ata që po shijojnë pushtetin e Rilindjes, por nga ana tjetër nuk harroi që të thoshte, se ishte i gatshëm për dialog. Ndërkohë presioni ndërkombëtarë, çdo ditë e më shumë po shtohet. Nëse deri përpara protestës së 11 majit, ata i bënin thirrje opozitës që të kthehej në normalitet, këto ditët e fundit po i bëjnë presion qeverisë, që të ulet të dialogojë për zgjidhjen e ngërçit. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se krizën dhe situatën e jashtëzakonshme që po kalon vendi, tashmë e pranojnë edhe ndërkombëtarët, përveç Edi Ramës.

Në fakt ai e di shumë mirë se Shqipëria është në situatë të jashtëzakonshme, ndaj edhe zhvilloi brenda 48 orëve dy konferenca përpëlitëse të jashtëzakonshme, duke shpresuar se do tu mbushte mendjen shqiptarëve se gjendja në vend “është e zakonshme”.