Dita Ndërkombëtare e Familjes, Meta: Familja e lumtur, vlera për zhvillimin e shoqërisë

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka postuar në faqen e tij në facebook një mesazh në të cilin pas urimit shkruan se “e mbështes fuqimisht forcimin e rolit dhe vlerave të familjes, si dhe do vijoj të promovoj mbajtjen shëndoshë të saj”.

“Falënderoj udhëheqësit e besimeve tona fetare për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të forcuar vlerat e familjes”, shkruan Meta ne postimin e tij. 

Ja postimi i plotë i kreut të shtetit:

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes!

Një familje e lumtur, solide, në mirëqënie dhe paqe brenda saj, ka vlera të jashtëzakonshme për zhvillimin e begatinë e shoqërisë, atdheut e kombit tonë. E mbështes fuqimisht forcimin e rolit dhe vlerave të familjes, si dhe do vijoj të promovoj mbajtjen shëndoshë të saj.

Vendi ka nevojë për më shumë familje të reja e të qëndrueshme, për më shumë fëmijë dhe kushte më të mira për mirërritjen dhe edukimin e tyre, për politika më konkrete sociale dhe ekonomike në këto drejtime. Falënderoj udhëheqësit e besimeve tona fetare për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të forcuar vlerat e familjes. 

Zoti i bekoftë familjet tuaja!