Burg politik për protestuesit/ Alibeaj për Syri.net: Qytetarët në burg, Tahiri dhe Gjiknuri të lirë

Në një lidhje direkte për Syri.net, ish deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës për dhënien e masave të sigurisë për protestuesit e arrestuar në protestat e fundit të opozitës.

Sipas Alibeajt, vendimet janë marrë në zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe jo në zyrat e prokurorisë, siç duhej të ishte normalisht.

“Ka qenë të ndaluar 49 persona, prokuroria kërkoi arrest me burg për 41 prej tyre, nga gjykata është dhënë masa arrest me burg për 20 persona, 13 persona arrest shtëpie, pjesa tjetër detyrim paraqitje. Gjykata, kush e ka parë monologun e kryeministrit Rama, ishte ai që dha vendimin. Shihni ironinë e fatit në këtë rast, kushdo që ka dalë në protestë është në burg, ndërsa Saimir Tahiri është i lirë. Këta njerëz që janë të varfëruar e të shtypur, sot mbahen pas hekurave. Damian Gjiknuri, Ulsi Manja e soji e sollorollopi i tyre që kanë vjedhur votat sot janë të lirë. Njerëzit sot kanë arritur ndoshta koshiencën më të lartë poltike. Vendi është më i bashkuar, me një armik të përbashkët, me një regjim që i ka ditët e numëruara”, u shpreh Aliebaj.

I pyetur nga gazetari Bledian Koka lidhur me akuzat e ngritura nga organi i akuzës, Alibeaj vijoi me qëndrimin e tij se, këto janë akuza të fabrikuara në zyrën e kreut të qeverisë.

“Akuzat që ka dhënë Prokuroria e Ramës dhe Arta Markut janë akuza të fabrikuara në zyrat e Ramës", shtoi ish deputeti demokrat.