Situatë dramatike në turizëm, Rama thellon krizën edhe në ekonomi

Kokëfortësia e kryeministrit Rama për të refuzuar kërkesat e opozitës dhe mungesa e vullnetit të tij për të pranuar një zgjidhje për situatën e rëndë politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi.

Efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm.

“Situata është dramatike”, pohon për ‘Monitor’, Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turstik Shqiptar dhe drejtor menaxhues tek ‘Happy Tours Albania’, që bashkëpunon me agjenci të shumta si ato të vendeve nordike, polake, çeke etj.  “Partnerët tanë janë shumë të shqetësuar nga anulimet që po bëjnë klientët e tyre”, pohon ai. Ndonëse nuk mund të thotë ende numra, Kasa shton se agjencitë partnere kanë marrë shumë kërkesa për anulimin e rezervimeve.

Anulimet janë kryesisht nga vendet nordike dhe nga Gjermania.

Nordikët ishin një risi për turizmin shqiptar, që shfaqën interes që vitin e kaluar. Rezervimet e tyre nisin nga maji dhe mbyllen deri nga java e parë e tetorit. Fillimisht do të nisë me një charter në javë dhe në kulmin e sezonit planifikohen pesë chartera në javë.

“Partnerët tanë po mundohen që t’i qetësojnë dhe janë në pritje të zhvillimit të ngjarjeve”, pohon Kasa.

Të njëjtën tendencë negative e konfirmon dhe Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit. “Ka shumë anulime grupesh”, pohon ai. “Ka dhe anulime në konferenca e trajnime”. Topuzi shton se po vazhdoi kjo situatë, nuk mund të presim asgjë të mirë.