E pyesin për Kosovën, Meta: Do të donim që Dialogu Serbi - Kosovë të kishte përfunduar dje, jo sot e as nesër

Një nga përgjigjet e Presidentit Ilir Meta ndaj gazetarëve gjatë konferencës për shtyp të liderëve të samitit të Brdo Brijunit në Tiranë:

Z. Meta, a arriti ky samit ta sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër rihapjes së bisedimeve dhe njëkohësisht, në këtë kontekst, a keni koment për deklarimet e mëparshme të z. Thaçi, i cili ju bën ju si mikpritës, përgjegjës për praninë këtu të liderit serb të Bosnjë Hercegovinës?

Presidenti Meta: Nuk jam shumë i sigurt për këtë koment që sapo ju thatë, por mund t’jua siguroj se atmosfera ka qënë mjaft pozitive, mjaft konstruktive.  Sikurse unë e shpreha dhe gjatë shkëmbimit të mendimeve, arritja e Marrëveshjes së Prespës është historike, është zgjidhur një mosmarrëveshje 30-vjeçare, shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Të gjithë do të donim që edhe Dialogu Serbi-Kosovë të kishte përfunduar dje, jo sot dhe as nesër, por e thashë, nëse do të kishin ndodhur të dyja proceset menjëherë, dikush dhe mund të na ngatërronte dhe të mendonte se ishim në “beneluks” dhe nuk ishim në këtë rajon të Evropës me të kaluar të vështirë jo më shumë se 20 vite më parë. Por ajo që është është pozitive, është angazhimi i përbashkët për paqen, për përspektivën europiane të të gjithë të pranishmëve dhe vullneti për t’i zgjidhur të gjitha çështjet përmes dialogut.

Përsa i takon prezencës së zotit Dodik, besoj se e dini që Samiti i Brdo Brijunit është një samit që ka format të përcaktuar të të gjithë vendeve anëtare dhe z.Dodik ka qënë i ftuar dhe i mirëseardhur si president i radhës i Bosnjë Hercegovinës. Besoj se ka mbetur mjaft i kënaqur se ka qënë vizita e tij e parë në Shqipëri dhe ka premtuar se do do të vijë edhe për turizëm. Është i ftuar të vijë për turizëm, sepse ka dëgjuar fjalët më të mira nga shumë shtetarë të Bosnje hercegovinës për mikpritjen shqiptare./ar.sh/SYRI.NET