Vuçiç në Tiranë, shfaqet me Dodik dhe ironizon Albin Kurtin: Hidhen mbi policët…

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç mbërriti në Tiranë për një samit rajonal. Fillimisht ai u takua me shefen e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini. Presidenti serb u ankua për zhvillimet mes Prishtinës dhe Tiranës. Sipas tij, shqiptarët po flasin për bashkim. “Nëse flitet për këtë çështje, kjo nuk është si të hapësh Kutinë e Pandorës, është më e rrezikshme,” tha Vuçiç.

Presidenti serb tha se po të flisnin serbët për bashkim, atëherë BE do të alarmohej.

Sipas tij, shqiptarët nuk kanë më mbështetjen që kishin nga Europa dhe zyrtarët e saj, ndaj kjo i bën të ndjehen nervozë. Por ai shtoi sërish se shqiptarët kanë një shtyllë të fortë në botën perëndimore, duke theksuar paratë që shumta që jepen për lobim.

Presidenti serb tha se do të takohet me homologun shqiptar, Ilir Meta dhe me atë kosovar, Hashim Thaçi. Ndërkohë, Vuçiç konsumoi edhe një kafe me liderin e serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik. Madje Vuçiç u pa duke konsumuar një Cola.

I pyetur për protestën e Vetëvendosjes, Vuciç tha se nuk e vendos Albin Kurti se ku është i dëshirueshëm ai dhe ku jo.

“Nuk e kam parë kurrë Albin Kurtin. Nuk e përcakton ai se ku jam non-grata dhe ku jo. Janë ca demonstrues që hidhen mbi policët dhe u thonë: Hajdeni na godisni me shkop që të bëhemi heronj. Këto histori janë për fiset e tyre. Unë nuk jam i interesuar”.

Fotografinë e ka hedhur vetë presidenti serb në rrjete sociale ndërsa mediat serbe e quajnë një takim mes vëllezërve në Tiranë. Vuçiç dhe Dodik marrin pjesë sot në Samitin e Brdo-Brionit në kryeqytetin e Shqipërisë.