Kur Thaçi ua 'liberalizoi' vizat kosovarëve, në 2012

Politikanët vendorë qe një dekadë kanë filluar t’u japin premtime qytetarëve të Kosovës për liberalizim të vizave me BE-në. Madje edhe me shampanjë disa herë është festuar “heqja” e vizave. Pavarësisht izolimit të gjatë nga BE-ja Kosova nesër e feston Ditën e Evropës, shkruan "Zëri". 

Hashim Thaçi në vitin 2010, në kohën kur ushtronte postin e kryeministrit të Kosovës, kishte filluar me premtimet dhe urimet për heqjen e vizave për qytetarët.

Ai përmes deklaratave dhe paraqitjeve publike ka premtuar dhe ka uruar heqjen e vizave për disa herë radhazi.“Të nderuar qytetarë, urime liberalizimi i vizave!”, kishte thënë Thaçi në njërën nga konferencat e tij për shtyp të mbajtura në vitin 2012.

Katër vjet më vonë, përkatësisht më 2016-n, Thaçi përsëri ua hoqi vizat kosovarëve.

“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA-n dje. Javë historike”, kishte shkruar Thaçi në faqen e tij në “Facebook” më 4 maj të vitit 2016, shkruan më tutje "Zëri.info".

Premtime për heqjen e vizave pati dhënë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, i cili në vitin 2016 pati premtuar se do të ndodhë heqja e vizave.

“Unë jam shumë i bindur se në fundvit rinia jonë, bizneset tona e intelektualët tanë do të lëvizin lirshëm anekënd Evropës”, pati thënë ai më 11 qershor të vitit 2016, shkruan "Zëri.info|". 

Pa premtuar liberalizimin e vizave nuk ka mbetur as ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili gjatë mandatit të tij si kryeministër ishte shprehur i bindur për heqjen e “murit të Schengenit” për kosovarët.