‘Nuk ka negociata me BE-në sepse Rama u investua për ndarjen e Kosovës’

Kur bie fjala tek raportimet nga Brukseli, zor se ka një gazetar në botën shqiptare që ka më shumë njohje dhe më shumë përvojë në ‘zemrën’ e BE-së se Augustin Palokaj.

Në një koment për gazetën Koha Ditore, ai shkruan se negociatat për Shqipërinë mund të mos hapen dhe kjo jo për shkak të situatës së brendshme, por për shkak se kryeministri Edi Rama u investua për ndarjen e Kosovës.

Sipas tij, Rama ra në grackën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

‘Nëse asgjë tjetër, atëherë Samiti në Berlin ka sqaruar disa çështje lidhur me idenë për ndryshimin e kufijve: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për herë të parë pranoi publikisht se kjo ka qenë ide e tij dhe se tash, pasi nuk është pranuar, do të ketë pasoja për Serbinë.

Edhe më herët kishte shumë diplomatë që thoshin se në Bruksel, Prishtinë dhe Tiranë e kanë kuptuar seriozisht se ‘duhet t’i ndihmojnë Vuçiçit që ai të bëjë kompromis me Kosovën’.

Por kjo duket se ka qenë një grackë e presidentit të Serbisë në të cilën kanë rënë të tjerët e ai tash flet për mbështetjen e madhe që ka nga Kina e Rusia.

Pasojat e tjera të kësaj ideje janë ndasitë në skenën politike në Kosovë, ndasitë në mesin e miqve ndërkombëtarë të Kosovës dhe sponsorëve të pavarësisë së saj, ndasi në skenën politike në Shqipëri.

Madje ka edhe të tillë që mendojnë se kjo ide mund ta ketë rrezikuar edhe liberalizimin e vizave e edhe ftohjen e Berlinit ndaj Shqipërisë, për çka kjo mund të rrezikojë edhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Tash në BE po flitet për ‘ndarjen e paketës’ dhe që me Maqedoninë të nisen negociatat e anëtarësimit, ndërsa për Shqipërinë të pritet ‘një moment më i përshtatshëm’.

Beteja për të dhënë një datë për nisjen e negociatave për Shqipërinë vazhdon, por kënaqësia e politikanëve në BE me kryeministrin Shqipërisë, Edi Rama, nuk është sikur ka qenë para disa muajsh, kur flitej se ai është ‘i përkëdheluri i Merkelit’.

Kjo nuk ka të bëjë fare me sulmet e opozitës ndaj Ramës sa me perceptimin se edhe ai është përfshirë në eksperimentet me idenë për ndryshimin e kufijve,’ shkruan Palokaj.