FOTO/ Të plagosurit në Letoni: majori Tanushi rëndë, rreshteri Kapaj drejt përmirësimit

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vizituar ditën e djeshme dy efektivët e kontigjentit EOD, të plagosur në Letoni. Xhaçka vizitoi major Klodian Tanushin, i cili ndodhet i shtruar në Riga East University Hospital, dhe sipas informacioneve gjendja e tij shëndetësore është e rënduar.

Xhaçka vizitoi gjithashtu edhe Reshter Juliaj Kapajn,  i cili aktualisht ndodhet në spitalin e bazës ushtarake Camp Adazi në Letoni, ndërkohë që gjendja e Reshterit është e mirë.

Sot, ministrja Xhaçka shkroi në rrjetet sociale se ndodhet "në Letoni për të parë nga afër gjendjen e 2 efektivëve të plagosur, por edhe për të takuar kontingjentin shqiptar në Camp Adazi, ku ra në krye të detyrës nëntetare ZarifeHasanaj, shpirti i së cilës pushoftë në paqe.

Fatmirësisht gjendja e rreshter Kapajt është shumë e mirë, por ajo që na shqetëson të gjithëve është gjendja e major Klodit. Lutem për shëndetin e tij, ndërkohë që kujdesi mjekësor këtu për komandantin tonë është maksimal.

Ndava dhimbjen me pjesëtarët e tjerë të kontingjentit, të cilëve bashkë me familjet e tyre, u sigurova mbështetjen time personale në këto ditë kaq të vështira. U prehtë në paqe nëntetare Hasanaj! Shërim të shpejtë për komandant Klodin! Zoti i bekoftë burrat dhe gratë që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë!" përfundon ministrja.

Ceremonia shtetërore e lamtumirës për nëntetaren Zarife Hasanaj do të zhvillohet gjatë paradites së të premtes më 10 maj 2019. Trupi i efektives që humbi jetën një ditë më parë pritet të mbërrijë në Atdhe ditën e enjte, më datë 9, me avion ushtarak.

Efektivja Zarife Hasanaj do të shoqërohet edhe nga një efektiv kanadez, një letonez dhe kolegë të saj shqiptarë, pjesë e kontigjentit ku bënte pjesë. Efektivja do të pritet në aeroportin “Nënë Tereza”, me protokoll ushtarak e me pas do te dergohet pranë familjes se saj.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Më pak se 24 orë nga ngjarja në bazën Camp Adazi në Letoni, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka udhëtoi drejt Rigës për të vizituar kontigjentin e 4-t, EOD e për t’u takuar me drejtues të bazës ku që prej vitit 2017, Shqipëria përfaqësohet me trupat e saj si pjesë e misionit të NATO-s “enhanced Forward Presence”.

Fillimisht ministrja Xhaçka vizitoi dy efektivët e plagosur, njëri prej të cilëve, major Klodian Tanushi, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Riga East University Hospital. Ministrja e Mbrojtjes u takua me mjekët që po ndjekin me vëmendje maksimale gjendjen e major Tanushit.

Më pas, ministrja Xhaçka e shoqëruar nga gjeneralmajor Nazmi Cahani, përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel dhe atasheu ushtarak shqiptar kolonel Fadil Ciroku, mbërritën në bazën ushtarake Camp Adazi. Në takimin me efektivët shqiptarë, ministrja e Mbrojtjes shprehu dhimbje për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku si pasojë e shpërthimit të municioneve të paplasura, gjatë kryerjes së detyrës, humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj e u plagosën major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj. Në mënyrë të veçantë, ministrja Xhaçka u interesua për dy efektivet, Enkelejdën dhe Nadjën, të cilat janë pjesë e kontingjentit të mbërritur në Letoni 5 muaj më parë.

“Dhimbja është e përbashkët dhe unë jam sot këtu me ju për të ndarë bashkë hidhërimin, por edhe për te gjetur forcën. Familjet e 3 efektivëve, ju dhe familjet tuaja, do të keni mbështetjen time personale, por edhe të secilit prej 8 mijë efektivëve të familjes sonë të madhe ushtarake, për të kapërcyer këtë moment të vështirë. Ju nuk do të jeni kurrë vetëm dhe asnjëherë s’do të jenë vetëm familjet e çdo burri dhe gruaje në uniformë”,- tha ministrja e Mbrojtjes gjatë bashkëbisedimit me efektivët.

Djemtë dhe vajzat e kontingjentit, misioni i të cilit përfundon pas pak javësh, thanë se janë të vendosur për të përfunduar plotësisht dhe me dinjitet misionin, jo vetëm si detyrim kushtetues, por mbi të gjitha për të vijuar angazhimin e lënë në mes nga kolegët e tyre.

Në takimin me ministren Xhaçka, drejtuesit ushtarakë kanadezë e letonezë të bazës, shprehën vlerësimet maksimale për përfaqësimin dinjitoz dhe profesionalizmin e efektivëve shqiptarë në këto dy vite të përfshirjes së tyre të misionit të NATO në Letoni.