‘I bllokuar nga qytetarët’/ Salianji ironizon me Ramën: Të hyjë në bunker e të qeverisë nga Facebook-u

Ervin Salianji, i ftuar në Top Talk, ka folur në lidhje me qëndrimin dhe aksionin politik të opozitës jashtë parlamentare në një javë deçizive si kjo kur do të zhvillohet protesta e madhe e radhës e opozitës që është paralajmëruar sërish se do të bëjë ndryshimin.

Ish-deputeti i PD-së nuk beson se këto protesta mund t’i kthehen në bumerang opozitës për dy arsye: “E para, janë protesta të paralajmëruara. E dyta, tregojnë që Shqipëria nuk mund të ketë normalitet politik, social, ekonomik duke u uzurpuar pushteti politik në mënyrë të kundraligjshme nga ana e njërës palë”.

Më tej, Salianji shpjegon arsyen pse opozita e refuzon ofertën e mazhorancës për t’u ulur e për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore.

“Nuk kemi dalë në rrugë se mungojnë instrumentet ligjorë nga sistemi. Të shkruara në letër janë, por nuk është vullneti për t’i zbatuar. Ky është teatër ku ata bëjnë sikur ftojnë, ndërkohë që ne ishim aty dhe ne i treguam ligjin, dosjet me emra konkretë dhe përgjimet e dala nga vetë prokuroria për shkak të një hetimi ndërkombëtar. Ne nuk do t’i gënjejmë shqiptarët dhe të bëjmë sikur ulemi, të bëjmë sikur japim zgjidhje dhe në fund për qytetarët nuk ndryshon asgjë”, është shprehur Salianji.

Sa i përket kryeministrit Edi Rama, largimin e të cilit opozita e ka kusht të panegociueshëm, ish deputeti demokrat është shprehur: “Ne nuk do t’i ndalojmë jetën Edi Ramës. Nëse ai jeton i izoluar nga shtëpia në Surrel në Kryeministri dhe në godinën e Kuvendit, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Ai mund të hyjë dhe në bunker dhe të qeverisë nëpërmjet Facebook-ut. Edi Rama nuk ka më mbështetje nga qytetarët dhe ata po e bllokojnë”.

Kujtojmë se më 11 maj është paralajmëruar protesta e radhës e opozitës, e cila dy herët e fundit ka bllokuar disa prej akseve nacionale kryesore, si shenjë e përshkallëzimit të protestave.