Austri, përkujtohet dita e çlirimit të kampit nazist të Mathauzenit

Austria përkujtoi dje, më 5 maj, me ceremoni, 74 vjetorin e hyrjes së Divizionit të 11 të Blinduar të Korpusit të Tretë të Ushtrisë Amerikane, i cili çliroi Kampin Nazist Famëkeq të Përqëndrimit në Mauthausen.

Në ceremoni morën pjesë autoritetet më të larta të popullit, qeverisë dhe Parlamentit të Austrisë, si ish Presidenti Federal Heinz Fischer, Kryetari i Parlamentit z. Wolfgang Sobotka, Kancelari Federal z. Sebastian Kurz, etj,të cilët vendosën kurora me lule pranë memoralit qëndror në Kampin e Mauthausenit. Në ceremoni morën pjesë dhe nderuan të rënët me kurora ëme lule të freskëta edhe përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Austri, si dhe dhjetra organizata jo qeveritare progresiste e antifashiste.

Në ceremoninë e këtij vit, u rikujtuan me një ceremoni të veçantë “shkallët e vdekjes”, si simboli i dhunës së egër mizore ushtruar nga nazistët ndaj viktimave të pafajshme. Nderim i veçantë ju kushtua të mbijetuarve që ishin të pranishëm në këtë ceremoni. Perfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar Mauthausen dhe Komiteti Austriak i Mautahasenit në fjalimet me moton “kurrë më numra gjithnjë njerëz”, evokuan heroizmin e të gjithë atyre që u angazhuan në luftë dhe dhanë një kontribut të pazëvendësueshëm në fitoren mbi nazi-fashizmin.

Ata tërhoqën vëmëndjen se kujtimi i tragjedive njerëzore, siç ishte Kampi i Mauthausenit duhet t’i shërbejë jo vetëm përkujtimit të të rënëve, por edhe rritjes së ndërgjegjësimit për rrezikun që vjen nga indiferenca dhe harresa. Ata theksuan se është detyra jonë të edukojmë brez pas brezi gjeneratat e reja për të mos përsëritur këtë histori të dhimbshme njerëzore. 

Në këtë ceremoni, krahas personelit të Ambasadës Vjenë, mori pjesë edhe delegacioni i Bashkisë Vlorë i kryesuar nga Zj. Vojsava Shkurtaj, Kryetare e Këshillit Bashkiak, Z Polizoi Kosta, z. Shkëlqim Vreshtazi dhe Zj. Alma Vreshtazi, pasardhës dhe familjarë të dëshmorëve nga vendi ynë, viktima të dhunës së verbër naziste, që humbën jetën në KZ Mauthausen.

Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo dhe Ambasadori Igli Hasani, Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë OSBE, OKB dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare me seli në Vjenë, në krye të delegacionit shqiptar, vendosën kurorë me lule në memorialin e viktimave të kampit famëkeq Mauthausen.