FOTO-REPORTAZH/ 'Mushkëritë e Prishtinës', ja si kalohet fundjava në Parkun e Gërmisë

Për t'i ikur zhurmës, jetës së përditshme por edhe për të përjetuar pak relaks dhe pushim në botën e natyrës, prishtinasit janë me fat që e kanë një vend të bukur si Parku i Gërmisë.

Kjo pjesë e kryeqytetit duhet ruajtur si 'sytë e ballit' ngase qytetarët e Prishtinës nuk kanë ndonjë vend më të mirë për të kaluar një vikend pushimi por edhe rekreacioni.

Kjo arrihet të bëhet falë bukurive natyrore dhe ajrit të pastër, pishave dhe malit të bukur që të ofron ky vend.

Syri.net Kosova ishte në Gërmi për të parë nga afër se si qytetarët e kalojnë një fundjavë dhe momente të bukura në këtë vend, ku ajri i pastërt por edhe fushat e gjelbërta sidomos në stinën e pranverës nuk mungojnë asnjëherë.

Të shumtë ishin qytetarët të moshave të ndryshme, që kishin zënë vend duke thithur ajrin e pastër, por edhe duke pushuar, relaksuar, lozur, sikur edhe duke u ushqyer.

Me një fjalë duke përjetuar momente të këndshme me familjarët e tyre, miqtë dhe sidomos fëmijët të cilët vraponin dhe loznin pa pushim.

Qytetarët për Syri.net Kosova kanë jep opinionet e tyre se sa shpesh dhe si e kalojnë një vikend relaksi në Gërmi.

Arsim Bajrami kishte dalë në këtë vend me familjen e tij të ngushtë.

Ai thotë se qytetarët e Prishtinës janë me fat që e kanë këtë vend që për pak kohë të kalojnë momente të bukura në natyrën e bukur të Gërmisë.

"Zakonisht po vijmë në fundjavë që se bashku me familjen të kalojmë një pasdite në natyrën e bukur të kësaj pjese", thotë Bajrami.

Ai ndjehet mirë kur është në mesin e familjarëve të tij, por lutja e tij është që vendi të mbahet sa më i pastërt.

Kurse Vjollca Krasniqi deklaroi se po përjeton momente relaksi dhe rekreacioni në këtë vikend në Gërmi.

"Kemi ardhur së bashku me disa shoqe dhe po kalojmë jashtëzakonisht mirë duke pirë, ushqyer por edhe duke luajtur", shprehet Vjollca.

Ajo ka treguar se si studente në Prishtinë pothuaj tërë javën janë të angazhuara me mësime e ligjërata, prandaj një pushim dhe rekreacion në parkun e Gërmisë ishte i domosdoshëm.

Është më mirë edhe për të rinjtë por edhe për fëmijët, pleqtë që në këtë ajër të pastër të kalojnë sa ma shumë kohë, tha ajo.

Derisa 13 vjeçari Ermal Berisha, lozte pa pushim me topin e tij.

Ai tha se pothuaj çdo vikend del dhe luan në këtë vend të bukur ku përveç topit, në shumë raste edhe bën xhiro me bicikletën e tij.

E përderisa koha kalonte, numri i qytetarëve rritej gjithnjë e më shumë, derisa përskaj rrugës nuk ndaleshin makinat dhe autobusët ku nxënës të shumtë zbrisnin për të kaluar edhe ata momente të bukura relaksi dhe qetësie në natyrën e bukur e cila pothuaj t'i merrte sytë me ngjyrën e gjelbërt të barit, por edhe të pyllit perreth.

E pse jo! Vetëm ata që nuk kanë pasur rastin ta vizitojnë Germinë nuk ia dinë rëndësinë edhe të anës shpirtërore por edhe shëndetësore të ajrit por edhe të qetësisë që të ofron kjo pjesë ku nëna natyrë tashmë e ka krijuar folenë e vet.

Prandaj mos hezitoni, nëse një fundjavë vendosni ta vizitoni Gërminë, sadopak do ta harroni zhurmën, stresin, por edhe do të largohuni nga përditshmëria, por pse jo edhe edhe nga bota virtuale, siç janë rrjetet sociale.

E derisa merrnin rrugën e kthimit, si në mbamendjen e atyre qytetarëve dëgjohej një zë pëshperitës - Kthehuni përseri! 

Krejt në fund, erdhi edhe mbrëmja, ku në horizont retë shiheshin duke lëvizur mbi parkun e Gërmisë, ku ashtu në heshtje dhe qetësisht, nisën të binin edhe ca piku shiu...Si dukej ky vend i natyrës mbulohej me bereqet!  

*Reportazh i Syri.net Kosova