Ditë e shënuar për futbollin e Kosovës, ja çfarë ndodhi më 3 maj 2016

Më 3 maj 2016, Federata e Futbollit të Kosovës u pranua me të drejta të plota në UEFA, në Kongresin e Budapestit të mbajtur në Hungari.

Nga 55 shtete pjesëmarrëse në atë kongres, 28 prej tyre votuan për pranimin e Kosovës, sa ishte edhe numri i nevojshëm për t’i dhënë fund izolimit të futbollit kosovar.

“Jam shumë i prekur. Ju falënderoj para së gjithash në emër të lojtarëve të rinj të vendit tim për këtë vendim. Kjo është një ditë historike për ne”, pati thënë në atë kohë Vokrri, presidenti i ndjerë i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Pas pranimit në UEFA, Kosova një muaj më pas u pranua edhe në FIFA, ndërsa në shtator nisi garat për kualifikim në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.