Messi mësoi nga Maradona si t’i gjuajë goditjet e dënimit

Një nga elementët e lojës së Messit, që është përmirësuar me vitet e tij te Barça, ka qenë saktësia e goditjeve të dënimit. Dhe meritë për këtë ka Diego Maradona.

Fernando Sinjorini, trajneri i fitnesit në kombëtaren argjentinase, gjatë kohës që atë e drejtonte Maradona, tregon: “Në shkurt 2009, shkuam në Francë për të luajtur një miqësore. Pas stërvitjes, Mascherano, Tevez dhe Messi i kërkuan Maradonës që të ushtronin disa goditje. Messi bëri një goditje që shkoi mbi traversë dhe i dorëzuar iu drejtua dusheve. Maradona u tërbua dhe i tha sesi një lojtar me talentin e tij shkonte në dush pas një goditje të tillë. I tha Messit që të mos e shkëpuste këmbën nga topi aq shpejt dhe ia demonstroi, ndërsa Leo e shikonte me admirim”.