Nënkryetarja e LSI-së: ‘Nesër detajojmë qeverinë tranzitore, ja ç’do të ndodhë me bllokimin e rrugëve’

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, e ka cilësuar si një dështim të Ramës shtyrjen e negociatave.

Duke folur për krizën politike në Shqipëri nga studio e Fax Neës, Xhixho tha se: ‘ Është e trishtë që Shqipërisë nuk iu hap drita jeshile. Drita e kuqe u dha dhe për kufijtë Kosovë-Serbi. BE kërkon të rrisim standartet evropiane.” tha Xhixho.

Nënkryetarja e LSI-së foli edhe për disa nga pikat kryesore që veçohen në raportin e Brukselit dhe që janë arsyet për rezultatet e deritanishme.

“Në raportin e Brukselit nënvizohen disa pika kryesore:

1.Ngadalësia e procesit të vetingut, dhe ulja e besimit të qytetarve te ky proces.

2.Prokurorët dhe gjyqtarët që kanë lidhje me qeverinë, e kanë kaluar shumë shpejt dhe lehtë procesin. Kjo gjë ka sjellë dhe reagim nga ana e Komisionereve” tha Erisa Xhixho.

Sipas Xhixhos Ramës nuk i leverdis çelja e negociatave .

Nënkryetarja e LSI thotë gjithashtu se sistemi i drejtësisë është i kapur nga mazhoranca.

“Ka një kaos në sistemin e drejtësisë. Mungon Gjykata e Lartë dhe një Gjykatë Kustetuese.

Mungesa e  ILDK-së bën të mos kontrollohet asnjë prokuror apo gjyqtar gjë që rrit riskun që ata mund të japin vendime pro qeverise. Sistemi i drejtësisë është kapur nga mazhoranca” vijoi më tej Xhixho.

Më tej nënkryetarja e LSI-së tha se në kuadër të aksionit të opozitës së bashkuar, çdo gjë është e mirëpërcaktuar dhe se do të vazhdojnë protestat dhe bllokimet e akseve kryesore.

“ Takimi mes Bashës dhe krerëve të tjerë të partive opozitare ka ardhur në vazhdën e aksionit të opozitës. Do të vazhdojmë me bllokimin e rrugëve  në 12 qarqe në pika të përcaktuara. Qeveria tranzitore është e vetmja zgjidhje e këtij ngërçi politik ku kemi ngecur. Ne kërkojmë që qeverisja tranzitore të krijojë një klimë neutraliteti që do mund të çojë përpara proceset integruese dhe stabilitetin e vendit.” tha Xhixho.

Xhixho thotë që LSI nuk ka asnjë pritshmëri për ndonjë rol në qeverinë tranzitore. Ajo shton se qeveria po bën propagandë kur thotë që LSI do marrë pjesë në zgjedhje sepse kjo gjë nuk është e vërtetë.

“Ka një propagandë nga mazhoranca aktuale ku thotë që LSI do marrë pjesë në zgjedhje. Ne jemi opozitë e bashkuar dhe nuk do ketë zgjedhje lokale por vetëm zgjedhje parlamentare të parakohshme.

Nesër do ketë një detajim të gjithë formatit të qeverisë tranzitore. Mendoj që nëse ka vullnet mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita ka djegur mandatet, situate ekonomike është shumë e keqe.” tha Xhixho.

Xhixho thotë që me të gjitha ngjarjet politike që po ndodhin në Shqipëri, bashkë me protestat dhe vendimet në Samitin e Berlinit, Rama duhet të marrë vendimin nëse do të largohet me dinjitet apo në një formë tjetër.

“Opozita i përgjigjet kërkesave të qytetarëve si për përshkallëzimin e protestave, si për djegien e mandateve. Rama duhet të shohë gjendjen pas Samitit të Berlinit, pas protestës nga qytetarëve  dhe duhet ta vendosë  nëse do të largohet me dinjitet ose jo. Për kreun e qeverisë së besimit që duhet të ndërtohet ka intelektualë që mund të japin kontributin e tyre  në vendosjen e një klime besimi. Ai mund të krijojë mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.” përfundoi Erisa Xhixho.