VIDEO/ Takimi për krizën, aleatët e PD-LSI tregojnë çfarë diskutuan me Presidentin Meta

Pesë kryetarët e partive të vogla aleate të PD-LSI kanë përfunduar takimin në Presidencë me kreun e shtetit Ilir Meta për zgjidhjen e krizës politike. Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane tha pas takimit:

“Besoj se ndajmë të njejtin shqetësim se situata është problematike - tha Mediu, - dhe të gjithë duhet të ndalojmë që vendi të shkojë në një konflikt, i cili nuk i shërben interesave të qytetarëve shqiptarë dhe rrugës së integrimit tonë europian. Po ashtu duhet të lexojmë qartë edhe mesazhet që kanë ardhur nga Berlini në takimin e djeshëm.

Presidenti i Republikës ka bërë gjithë atë çka mundet ai në autoritetin e tij që reforma në drejtësi të jetë në përputhje me garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, të interesave për të pasur një pushtet gjyqësor shqiptar, për të mos arritur në këtë ditë që të mos kemi Gjykatë Kushtetuese, gjykatë të Lartë apo manipulim të institucioneve të tjera dhe Presidenti po ashtu ka ndërmarrë inisiativa edhe me mazhorancën, edhe me opozitën dhe do të vazhdojë edhe në këtë rrugë, në mënyrë që zgjedhjet të jenë sa më pluraliste e jo të devijojnë nga akset kushtetuese, siç kemi shqetësimin edhe ne.”