Astrit Patozi e bën Maratonën me shpejtësinë e Usain Bolt!

Bindja Demokratike regjistrohet në zgjedhjet lokale të 30  Qershorit.

Kanë kaluar vetëm 5 (pesë ditë) nga dita kur Gjykata e Tiranë regjistroi Partinë Bindja Demokratike si subjekt elektoral në Republikën e Shqipërisë.

Gjykata Shqiptare jep përgjigje (sipas ligjit) brenda 30 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës nga subjekti sipas Ligjit. Normal, është një punë  që kërkon kohë, duhen verifikuar 3000 firmat e nënshkruesve, duhet parë statuti a është në përputhje me Ligjet dhe Kushtetutën.

Vetëm për të verifikuar 3000 persona me karta identiteti duhen ca ditë. Po marrim një shembull vulgar, supozojmë që unë jam anëtar i Bindjes dhe Patozi ka marrë nënshkrimin tim dhe numrin e kartës sime të identitetit. Për ta vërtetuar që jam unë dhe jo një tjetër bartësi i asaj  karte identiteti duhet futur numri në sistemin elektronik. Siç bën Policia në daljet nga kufiri fjala vjen. Kjo punë, të merr minimumi 1 minutë. Apo jo?

Po për 3000 njerëz? Janë 3000 minuta pra. Ose po ta pjesëtojmë me 60 minuta që ka një orë i bie 50 orë. Po ta ndajmë me ditë pune i bie më shumë se  6 ditë pune!

Por, Gjykata e dha vendimin për 5 orë. Ishin ndarë të gjithë Gjykatësit e Shkallës së Parë. Disa shqyrtonin Statutin, disa  numëronin kartat. U mbyllën të gjitha çështjet për atë ditë. Shullazi u anulua, grabitja e parave gjithashtu u shty me dy ditë, nja dy vrasës ranë dakort që për arsye kaq madhore të shtynin gjyqin e tyre.

Pra, për 5 orë u dha verdikti! Patozi është krejt në rregull. Listat i ka të pastra kristal me njerëz e të nderuar. Kishte vetëm një problem. Ishte data 23 Prill koha për paraqitjen e dokumenteve në KQZ kishte skaduar!

E çë pastaj? Kujt i plasi? A është me shumicë votash? E rregullojmë edhe atë punë.

Sot erdhi sihariqi! Komisioni Qendror Zgjedhor e pranoi kërkesën e të Kryebindurit Patozi dhe  e regjistroi atë në zgjedhje!

4 persona votuan pro. Vetëm Kryetari është kundër. Por çfarë dreqin thotë ky Kryetari, pse i del kundër?

Po ja, thotë punën e datës… Që është mbyllur me dt 21. Paska thënë edhe që:”Në situata identike ne nuk kemi pranuar një Parti në 2015 dhe me votim unanim”.

Po kush po pyet për Kryetarin aman. Me gjasë edhe ai voton ashtu se  e din që nuk prish punë.

Tani Opozita është në zgjedhje. Komandanti Suprem ka një Opozitë në Parlament dhe një tjetër në zgjedhje.

Ishalla po i fiton këto zgjedhje. Pritet fushatë e fortë elektorale me Bindjen.