Letër e hapur Lubonjës/ Ku humbi Blushi apo ku humbi LIBRA …

I nderuar zoti Lubonja!

Jam nje nga 30 firmëtarët e krijimit të Libra-s dhe ju shkruaj në përgjigje të pyetjes suaj (më se të drejtë): Ku humbi Blushi që shante oligarkët kur ishte te Libra? Ku është sot? A ishte e gjitha teatër?

Arsyeja pse ju shkruaj sigurisht që nuk është Blushi në vetvete. Ska patur e ska nevojë për avokat me aq miq në media, pushtet e oligarki. Arsyeja e vërtetë është se e ndiej si detyrim për gjithë qytetarët që na mbështetën e besuan te ne.

Së pari, pyetja juaj është e gabuar. Duhet të pyesni ku humbi Libra që fliste me gjuhën e Blushit? Sepse për sa e pasur, e bukur, e fortë gjuha e këtij shkrimtari apo show man-i, ishte vetëm veshja e Librës. Zemra e saj ishin me mijra studentë, të rinj, intelektualë, emigrantë, qytetarë nga Shqipëria e Kosova që na kontaktonin me shpresë, entuziazëm, besim. Ishin Profesoreshë Sonila që la familjen, punën dhe u shpërngul në Korcë nga ku vinte një herë në javë e etur për të na treguar, ishte 20 vjecari informaticien  i talentuar Tomi që mbronte deri në kokëfortësi idenë se po, mund të votohej elektronikisht dhe demokratikisht, ishte Shpëtimi nga Dibra, Eduardi nga Pogradeci, ishin socialist dhe demokratë që na bashkoheshin heshturazi. Ishte një lum shprese që më emocionon vetëm me kujtime.

Ku humbi gjithe ky lumë do thoni ju?

Po ju përgjigjem me një fakt kontemporan. Nuk kam asnjë arsye pse të kem besim (apo edhe të mos kem) tek Rudina Hajdari. Deri tani, ka përdorur vetëm emrin e të jatit për një rol që mesa duket, ska dëshirë të luajë në politikë, për një urë komunikimi me ndërkombëtarët pikërisht kur ata ndihen më të pabesueshëm, për një vendim politik që con ujë në mullirin e Edi Ramës. Gjithsesi, preferoja atë ndaj Bashës.

Por kur me një lëvizje taktike Astrit Patozi e përdori dhe e nxorri jashtë loje, thashë mos, një tjetër Libra! Sepse faji ynë qe pikërisht ajo që shumë gazetarë quanin pikën tonë më të fortë: të qenit një parti personale e Blushit. Sado që nga brenda nuk ndiheshim, nga jashtë gjithkush na identifikonte me partinë e Blushit. Mbase ishim përpjekja politike më e mirë e tij por matematika zgjedhore ishte studiuar më mirë nga ish miku i tij Rama. Dhe periudha paszgjedhore vërtetoi se po, ishim një parti person. Kur nxehet një person që humbet, turfullon e hedh poshtë gjithcka, kur nxehet një parti, kalon një proces reformimi.

Prandaj zoti Lubonja, për sa kohë që në Shqipëri të kemi parti personale (si PS, PD, LSI, Bindja e ku di unë), edhe ata pak njerëz që do u kenë mbetur iluzione, do digjen nën turfullimin amicioz të Ramëve, Bashëve, Metëve, Blushëve e Patozëve.

Personalisht falenderoj dhe u përulem cdo qytetari që pavarësisht votës, më dha kohën e tij, më tregoi hallin e tij, më dëgjoi në ëndërrën time.Por për sa kohë që Shqipëria të ketë kodin zgjedhor në shërbim të 4-5 huliganëve politikë, unë do mbaj në sirtar shpresën time.

Ndaj më lejoni ti përgjigjem pyetjes suaj. Se ku “humbi” Blushi e kemi parë të gjithë; unë dua t’ju them ku humbëm ne të Librës. Jemi shpërndarë e rifutur në jetët që kishim si për të përtypur më mirë zhgënjimin. Por faji mbetet yni! Një parti mund të iniciohet nga ambicjet e nga fjalimet e një personi, po nuk mund të ushqehet aq gjatë pa ëndërrat e sejcilit prej nesh. Pra ne humbëm ëndërrat, fokusin, shpresën …. sepse Blushi humbi toruan! Ju lutem gjithë Rudinave, gjithë të rinjve që kanë akoma iluzione, mos u hapni rrugë kujt politika i hodhi si limon të shtrydhur dhe kërkojn të marrin hak me partinë e radhës!

Futini gjoksin sfidave duke filluar nga Kodi Zgjedhor, në mënyrë që nesër, të mos dëgjojmë më të flitet; “Po mirë që s’votoj Ramën, po kë të votoj,Bashën?”

Hidhni poshtë kultin e individit-mbret, rrëzoni nga froni egocentrikët që marrin pushtetin si klloun e e humbasin si diktator?!

Vetëm atëhere do votojmë  programe, jo  tepsira!

Vetëm atëhere do kërkojmë llogari në vend që tu kushtojmë këngë hajdutëve me pushtet.

Vetëm atëhere do kemi të ardhme!

Faleminderit, Ada Çapi.