Vendimi/ Qeveria do të rishikojë koncesionin e Rinasit

Kontrata koncesionare e Aeroportit të Rinasit mund të rinegociohet sërish. Qeveria ka hapur tenderin për përzgjedhjen e një konsulenti ligjor ndërkombëtar, i cili do të asistojë shtetin Shqiptar, për negocimin apo rishikimin e mundshëm të Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur me Tirana International Partners SH.P.K., për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë.

“Kontraktimi i zyrës së avokatisë së huaj do të  realizohet  nëpërmjet  procedurës  konkurruese dhe transparente përzgjedhëse,” thuhet në vendimin e qeverisë.  Ky vendim vjen vetëm pak ditë pas skandalit të sigurisë, ku persona të armatosur hynë në aeroport dhe arritën të vjedhjin 10 milionë euro nga barku i një avionic të linjës Austrian Airlines.

Por objekti i kontratës me konsulentin ligjor do të jetë rinegocimi i koncesionit. Pak muaj më parë qeveria pajtoi një auditues të pavarur për të bërë auditimin ekonomik të kontratës koncesionare të Rinasit. Raporti i audituesit, BDO Albania konstatoi se kompania koncesionare ka fituar 85 milionë euro më shumë nga skenari fillestar i parashikuar gjatë nënshkrimit të koncesionit.

Qeveria ka kërkuar nga TIA që të kthejë mbrapsh këto para ose përmes pagesave direkt në buxhet ose duke ulur tarifat aeroportuale për pasagjerët. Por kompania koncesionare nuk e ka pranuar raportin e BDO.

Për këtë arsye qeveria është duke kërkuar konsulent juridik, që ta këshillojë për rrugët ligjore se si mund të arrijë rishikimin e kontratës dhe detyrimin e TIA-s të kthejë mbrapsh paratë e fituara më tepër.

Burime nga Ministria e Infrastrukturës thonë se në rast se kompania nuk do të pranojë rishikimin ekonomik, atëherë qeveria mund të nis prishjen e njëanshme të koncesionit.

Aeroporti i Rinasit ka qenë shpesh në qendër të akuzave për tarifa të larta aeroportuale, të cilat sjellin çmimet më të larta në rajon të biletave të fluturimit për qytetarët shqiptarë.