Ja si njoha Agron Tufën dhe spartakiada e vertetë e sigurimsave kundër tij

Nga Ilir Seci

Shkrimtari Agron Tufa vazhdimisht ka trazue ujnat e ndejtuna te batakut të politikes shqiptare të mbas nandëdhetës...Ujnat e moçalta të nji politike që edhe pse e qelbun me kohe e me vakt, u kutërbue ma shume nga prumjet e tubave te fekaleve politike tip “Bashkefajtore dhe bashkevuajtës”. 
Agroni asht intelektual me kurajo.

Prodhim jashtë serisë se inkubatorit komunist që klloçiste në seri “intelektualë masovikë” varesisht nga pesha qe ia caktonte klloçka Parti. Sipas kërkesave të kohës. 

Agronin e kam njoftë qysh para vitit 1990, koha kur Agroni nga Dibra vinte në Shkodër me takue patriotet e vet dibranë dhe me pasë një bisede të dinjitetshme me dashamires të vertetë letërsie. Koha kur vinte te ILP në Shkodër që të pakten me i pa prej rrugës dritaret e sallave të leksioneve të fakultetit të Gjuhe-Letersise, se per me hy aty mbrenda dhe me u ule në ato salla as guxonte me andrrue. Ishte i prekun. Nji damkë diktatoriale që ngjallte frike ma shumë se kolera asokohe. Edhe sot kujtoj ndeje të asaj kohe me krijues aspirante, kur na nji grup letrarësh nga rrethet shisnim latat e studentit tue mbete pa darkë, vetem e vetem me pase pak leke per me porosite nga njo ponç portokalli te klubi i shkrimtareve dhe artisteve Shkodër dhe me folë për letersi. Mbramje ku secili mbi tavolinë në vend të mezeve nxirrte krijimet e veta. Dhe inkurajonim njani-tjetrin. Ne ato ndeje të tilla e pamë që Agroni ishte poet. 

Per fat kohnat ndryshuen dhe Agron Tufës iu krijue mundësia me vazhdue studimet në fakultetin ku sot asht profesor. Agroni shkelqeu si student, shkelqeu si drejtues i gazetave që drejtoi asokohe. Me suksesin e vet provoi padrejtesine e sistemit...Padrejtesi qe ishte kryer pa pushim ndaj talenteve të tilla. 

Mbaroi studimet në Tiranë dhe shkoi e studioi edhe jashte vendit. Shkelqyeshëm edhe atje. Në njifarë mënyre duke e ekspozue edhe ndërkombetarisht padrejtësinë e kryeme ndaj tij dhe krejt talenteve që u ishte mohue e drejta elementare e shkollimit. 

Ne tanë keto vite studimesh dhe suksesesh Agroni nuk harroi nga vinte dhe nuk u deh nga suksesi. Si intelektual u angazhue publikisht me ndreqë padrejtesinë që i ishte ba atij vetë ma së pari. Komforti si pedagog në Fakultet nuk e bani me refuzue punën në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Angazhim prej intelektuali të mirefillte. E kishte ma të lehtë me e shmangë, si kanë ba dhe bajnë plot tjerë nga shtresa e përndjekun që shtinë veshet në lesh e harruen nga vinin e çka kishin hjekë...

Punës në Institut i hyni me kurajo, ndryshe nga sa ishte praktika e punës deri atëherë kur gjjthshka shkonte mas mantrës “Bashkëfajtore dhe bashkevuajtes.” Agroni vendosi nji fund per ate praktike. Doli me emna...Denoncoi publikisht nji varg personash për inkrimimin me diktaturën, duke fillue nga Diana Çuli e deri te Spartak Braho. Sigurisht kjo kurajo do krijonte armiq. Armiq që kërcyen përpjete siç kercen Djalli nga Temjani. E pritshme kjo.

Djajtë e kuq reaguen dhe kercyen përpjetë siç dinë me kcye vetëm ata. Sepse Agron Tufa i nxori nga naftalina. Ballafaqimi me driten e të vertetes i terboi keto krijesa të nëntokës, keto vampire të bodrumeve të Sigurimit te Shtetit. Për këtë arsye edhe u angazhuen në fushata vamipresh. Nji Spartakiadë e vertete sigurimsash u shpalos ne gazetat e kontrollueme nga Sigurimi. Sulm frontal me çdo mjet. Nga keta me grostesku ishte njifare Fatos Tarifa, tekstet e te cilit ishin mbulue nga pluhni i paragjykimeve dhe stereotipizimeve 47 vjeçare te Zones se Pare Operative nga vinte ai vete siç e theksonte ai vete plot krejni ne artikuj. Mllefi i Fatosit ishte i kjartë, i mesuem me vendose tarifat sipas qejfit ai u traumatizue nga ndryshimet e mbas vitit 1990, ndryshime qe nuk e lane Fatosin me u ba Pionier. Deri atëherë vrisnin e prisnin simbas qejfit, kurse pas ndryshimeve u duhej me ba shume kujdes.

Asnjihere nuk duhet me harrue se po te ishte ne doren e Çulit, Brahos, Tarifës, etj, sistemi nuk do kishte ndryshue kurre, asnjihere. Kush i mban mend perbetimet haxhiqamiliste te Vullnetareve te Enverit ne shkurt 1991 e ka te qarte këtë. Per Diana Çulët, Spartak Brahot, Fatos Tarifat, etj, ai sistem do ishte edhe sot në kambë. Sepse ata e ndertuen sistemin, ishin sistemi vetë. Sot duke u mshehun mbas “mbrojtjes se luftes dhe të rënëve”, qartazi duen me mshefë inkriminimin e tyne. 

Agron Tufa i ekspozoi siç ekspozohet ai grupi i njerëzve kur mbi ta leshohet prozhektori i dritës. Agroni i ekspozoi dhe tashma asht detyra e tanë atynë që duen nji Shqipni demokratike me u ba dalazotës të Agron Tufës dhe krejt atyne që denoncojnë të shkuemen diktatoriale. Ky asht imperativ - duhet ba në rast se duem që vendi jonë me ba përpara ndonjeherë, dhe përpara ban vetëm po u ba nji vend i dekomunistizuem, ashtu si bani përpara Gjermania mbasi u ba nji vend i denazifikuem. Ndryshe nuk ban. Po heshtëm, ateherë provojme se e kemi meritue diktaturen, disa sepse e kanë dashtë e disa sepse kanë qenë konformiste, pak ndryshim ka tekembramja, në fund të fundit në nji perfundim mbërrihet...