Pse nuk qëndruat edhe në parlament, edhe të protestonit? Ja si përgjigjet ish-presidenti Nishani

Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, i ftuar në emision "Arena" në Ora News, i është përgjigjur pyetjes se përse opozita dogji mandatet, dhe nuk zgjodhi edhe të protestonte por edhe të qëndronte në kuvend.

Sipas tij, duke parë ato që po ndodhnin në parlament dhe jo vetëm, kjo ishte e vetmja rrugë që i kishte mbetur opozitës.

Pse nuk qëndruat edhe në parlament, edhe të protestonit?

"Logjika juaj është më e sakta në këndvështrimin e parë.  Parlamenti dhe institucionet janë vendi i parë i debatit, janë të padiskutueshme. Dhe janë ABC e demokracisë. Por ne kishim eksperiencën. Kushtetuta nuk e lejonte që të zgjidhej një prokuror i përkoshëm, mazhoranca nuk e përfilli kushtetutën. Së dyti;Ligjet që miratohen në parlament, kanë kushtin që të jenë në përputhje me kushtetutën, në momentin që nuk përputhen me kushtetutën, opozita nuk ka fuqinë e kartonëve. Kushtetuta thotë që nuk lejohen të miratohen ligje me efekte financiare që të kenë fuqi prapavepruese. Ligji që u bë mbi dividentin, binte në kundërshtim të hapur me këtë, mazhoranca nuk e përfill edhe këtë. Presidenti e refuzon, mazhoranca nuk e përfill as atë, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, dhe në këto kushte nuk ka rrugë tjetër", është shprehur ish-presidenti Nishani.